Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Trajtimi i ankesave nga AIP-ja, 175 lëndë të vitit 2025 u bartën për këtë vit

AIP

Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi arsyetohen se gjatë vitit 2025 nuk kanë mundur t’i trajtojnë të gjitha ankesat për shkak të numrit të vogël të stafit e rritjes së numrit të ankesave. Nga Agjencia janë ankuar se kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë për rritje të numrit të punonjësve nuk janë marrë parasysh, e nga Qeveria kanë thënë se kanë rritur buxhetin e këtij institucioni për paga

Në javën e dytë të majit 2026, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ankesa të patrajtuara nga viti 2025.

Vetëm redaksia e KOHËS ka 10 ankesa aktive në Agjenci e dy nga to, datojnë që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe janë kundër mostransparencës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E sipas vetë AIP-së nga viti 2025 në 2026-ën janë bartur 175 ankesa. 

Vonesat në trajtim kjo agjenci i ka arsyetuar me stafin e pamjaftueshëm. 

Sipas përgjigjes, me to merren vetëm dy zyrtarë, ndërsa ka vazhdimisht shtim të numrit të ankesave. 

“Agjencia i ka adresuar vazhdimisht kërkesat në Ministrinë e Financave, duke kërkuar rritjen e numrit të stafit dhe të buxhetit, në mënyrë që paralelisht me rritjen e numrit të ankesave të plotësohen edhe kërkesat për shtim të stafit. Pra, nga viti 2020 deri më 2026, Agjencia vazhdon ta ushtrojë mandatin e saj me 34 të punësuar”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.

E drejta e qasjes në dokumente publike është kushtetuese që mund të kufizohet në rast të informatave të mbrojtura me ligj në emër të privatësisë, sigurisë dhe sekretit afarist. 

Derisa AIP-ja i ka dërguar kërkesa për ta rritur numrin e të punësuarve, Qeveria nuk ia ka propozuar Kuvendit shtimin e zyrtarëve për këtë institucion. 

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se janë të angazhuar dhe të përkushtuar për respektimin dhe zbatimin e ligjeve. 

Në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit thonë se kanë rritur buxhetin për paga zyrtarëve të AIP-së. 

“Buxheti i AIP-së për vitin 2020 ka qenë 386 mijë euro, ndërsa këtë vit është 535 mijë euro, pra një rritje prej rreth 39% e buxhetit të përgjithshëm për këtë agjenci. Vetëm pjesa për paga dhe shtesa në vitin 2020 ka qenë 225 mijë euro, ndërsa këtë vit është afër 389 mijë euro, pra një rritje prej rreth 72% e buxhetit të dedikuar për paga dhe shtesa. Për vitin e ardhshëm parashihet sërish rritje e buxhetit për Agjencinë për Informim dhe Privatësi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në përgjigje thuhet se AIP-ja është agjenci e pavarur që i përgjigjet Kuvendit dhe se Qeveria nuk i përzihet në çështje të punësimeve. 

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) është agjenci e pavarur, e cila i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Andaj, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund të përgjigjet lidhur me organizimin dhe funksionimin e saj të brendshëm”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

E, në Agjenci kanë thënë se i kanë kërkuar Ministrisë së Financave që rritja e buxhetit të shoqërohet edhe me rritje të numrit të stafit. 

Me ligjet e buxheteve për periudhën  2020-2026, nuk lejohet rritje të numrit të zyrtarëve. 

Madje me ligjin e buxhetit të vitit 2026, parashihen edhe sanksione kundër atyre që shkojnë përtej numrit të të punësuarve në tabelë të buxhetit. 

“1. Asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve në nivel të nën programit, në asnjë kohë gjatë vitit fiskal 2026 siç specifikohet në tabelat 3.1, dhe 4.1 të bashkëngjitura në këtë ligj, përveç lehonave dhe mësimdhënësve në gjendje të rëndë shëndetësore në sistemin e arsimit para universitar. Çdo tejkalim i numrit të lejuar të punësuarve, përveç lehonive dhe mësimdhënësve në gjendje të rëndë shëndetësore në arsimin para universitar dhe ndarjeve buxhetore të parapara për çdo nën program konsiderohet shkelje ligjore dhe do të merren masa ligjore ndaj personave përgjegjës sipas strukturës së organizatës buxhetore bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në Ligjin për Buxhetin e vitit 2026, tek pjesa “Limitet në zotime dhe shpenzime”.

Në vitin 2025 AIP-ja i ka pranuar 927 ankesa për qasje në dokumente publike, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të 2026-s 300 ankesa. 

Ndër të tjera, roli i AIP-së është të shqyrtojë ankesat kur palët ankohen se nuk u është dhënë qasje në dokumente zyrtare në institucione të ndryshme publike dhe kur ato pas trajtimit, pranohen, obligohen institucionet që të ofrojnë qasje brenda disa ditëve.

Vetë AIP-ja nuk ka afat kohor se kur duhet t’i trajtojë ankesat e palëve.