Sot janë bërë 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare, ndërsa mbante postin e presidentit.
Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989. Ai u konfirmua lider politik i Kosovës në dy palë zgjedhje të mbajtura në vitet ‘90, përkatësisht më 1992 dhe 1998. Ai është zgjedhur president i Kosovës dy herë edhe pas çlirimit, përkatësisht pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 dhe atyre të 2004-s.
Rugova si kryetar i LDK-së, nga viti 1989, ishte kthyer edhe në lider të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta, nën sundimin e Serbisë.
Vdekja e tij u përcoll me 15 ditë zie në Kosovë. I ngarkuari i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, atëbotë, shtyri për një kohë bisedimet rreth këtij procesi. Tek dy vjet më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008, institucionet e Kosovës e shpallën Pavarësinë.
Në përvjetorin e parë të vdekjes, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike.
]Në 20 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen këto aktivitete:
Organizohen homazhe tek varri i Presidentit Rugova.
Nën patronatin e Presidentes Osmani mbahet Akademi Përkujtimore për Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, Prishtinë)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bën homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Po ashtu edhe LDK mban akademi përkujtimore në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.
Kurti: Kur Serbia këmbëngulte që s’ka Republikë të Kosovës, Rugova si president i saj takoi Clintonin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kujtuar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes.
Kurti ka deklaruar se në kohën kur Serbia që këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës, ishte Rugova që si president i republikës sonë arriti të takohej edhe me liderë botërorë, deri të ai i SHBA-së, Bill Clinton.
“Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti tutje shkroi se urtësia e Rugovës dhe konsistenca e tij i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Kurti deklaroi po ashtu se Rugova merita të veçanta edhe për orientimin e Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarzimin e drejtë të çështjes së Kosovës.
“Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova”, ka thënë mes tjerash Kurti në shkrimin e tij përkujtues për Kosovën.
Abdixhiku: Rugova nuk e kërkoi kurrë rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit
Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur të mërkurën një akademi përkujtimore, ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim kushtuar figurës dhe trashëgimisë politike të Rugovës.
Abdixhiku ka theksuar se Rugova nuk ishte “njeri i momentit”, por njeri i kohës së gjatë, duke vlerësuar se figura e tij nuk mund të kuptohet përmes sloganeve apo fjalive të shkurtra.
“Rugovën nuk mund ta përshkruajmë si figurë për fotografi, por si mendim që duhet kuptuar. Ai nuk është slogan, nuk është britmë, nuk është figurë e shpejtë për duartrokitje. Ai është proces, është rrugë e gjatë, është durim që nuk dorëzohet”, ka thënë Abdixhiku, transmeton EO.
Ai ka shtuar se pas dy dekadash pa Rugovën, është bërë e qartë se ndikimi i tij matet jo me një ngjarje të vetme, por me drejtimin që ia ndryshoi historisë së Kosovës.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se Rugova asnjëherë nuk kërkoi të shihej si hero, por se historia vetë ia dha atij rolin e themeluesit të shtetit të Kosovës.
“Ai nuk e kërkoi kurrë rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit. Nuk e kërkoi skenën, por skena u detyrua ta pranojë. Nuk kërkoi pushtetin për vete, por e ndërtoi pushtetin për një popull që kishte mbetur pa shtet”, ka deklaruar Abdixhiku.
Duke folur për formimin e Rugovës, ai ka theksuar se udhëheqësi historik i Kosovës nuk u formua në rehati, por në mungesë, humbje dhe padrejtësi, përvoja që, sipas tij, i dhanë dimensionin e durimit dhe qetësisë politike që e karakterizoi më vonë.
Abdixhiku ka theksuar gjithashtu se Rugova nuk hyri në politikë për pushtet, por për ta mbrojtur kulturën dhe identitetin në një kohë kur liria mungonte.
“Ai e kuptoi se fjala ka nevojë për shtëpi, dhe ajo shtëpi quhet shtet. Prandaj, kur themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai e mori intelektualin me vete në politikë. Politika e tij nuk ishte e instinktit, por e mendimit; jo e thirrjeve të çastit, por e ideve afatgjata”, ka thënë ai.
Sipas Abdixhikut, kalimi i Rugovës nga letërsia dhe studimi në politikë nuk ishte një braktisje e botës intelektuale, por një zgjerim i saj në shërbim të shtetit dhe institucioneve.
“Rugova nuk e la intelektualin pas, por e vuri në shërbim të popullit. Në një kohë normale, ai do të kishte mbetur studiues dhe mendimtar. Por koha nuk ishte normale”, ka përfunduar Abdixhiku.
Osmani: Trashëgimia politike e Rugovës mbetet themel i kulturës politike të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se trashëgimia politike e presidentit Ibrahim Rugova vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të kulturës politike dhe të orientimit shtetëror të vendit.
Këto deklarata Osmani i bëri gjatë Akademisë Përkujtimore, të mbajtur me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së presidentit Rugova, ku theksoi se përkujtimi i tij nuk është thjesht shënim i një date, por rikthim te një epokë që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një epokë që e ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Ideja e Rugovës u bë kulturë politike, rezistenca u shndërrua në etikë dhe politika u ngrit në nivel të misionit historik”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se askush nuk e mishëroi më mirë lidhjen me Kosovën se sa presidenti Rugova, duke e cilësuar atë si figurë të përkushtimit, sakrificës dhe vizionit shtetformues.
“Askush nuk e mishëroi më thellë shprehjen ‘Unë biri yt, Kosovë’ se sa presidenti Rugova. Ai ia kushtoi gjithë jetën ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës”, u shpreh presidentja, transmeton EO.
Osmani vuri në pah edhe filozofinë politike të Rugovës, duke theksuar se ajo përfaqëson një koncept të thellë human dhe demokratik që vazhdon të shërbejë si udhërrëfyes edhe sot.
Sipas saj, trinomi politik i Rugovës – liri, pavarësi dhe demokraci – nuk ishte vetëm një program politik, por një koncept filozofik dhe human.
“Për Rugovën, liria ishte aftësi për të vendosur për fatin dhe orientimin e vet, pavarësia ishte realizim i një të drejte historike, ndërsa demokracia ishte mekanizëm dialogu dhe garantim i të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë pa dallim”, përfundoi Osmani.
Liderët politikë e kujtojnë Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes
Presidentja Vjosa Osmani bashkë me familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë bërë homazhe tek varri i tij në Velani për 20-vjetorin e vdekjes së tij, nga ku tha se ai e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci. Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tonë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq që është sot mbetet dritë në udhërrëfyesin për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike në familjen ku Kosova dhe populli i saj e ka vendin. Nderimi për presidentin Rugova do të jetë i përjetshëm dhe vizioni i tij do të rrojë për aq kohë sa do të rrënojë dhe Kosova, do të rrojë përjetësisht”, ka thënë Osmani, raportoi EO.
Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të tij.
“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej dhe ai arriti të depërtoj në qendra kryesore botërore, duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptarë. Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshëm, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, tha Basha.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës për ta nderuar në përvjetorin e 20 të vdekjes së tij.
Nga aty, Abdixhiku tha se Ibrahim Rugova mbete shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë e obligon që të sillen me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun.
“Sot në 20-vjetorin e largimit të atit themeltar të Republikës së Kosovës, e vendit tonë, shtetit tonë nderojmë Ibrahim Rugovën. Njeriun i cili jo vetëm realizoi një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci por krijoi një projekt madhor, më të madhin të madhin ndër shqiptarëve të Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë na obligon edhe sot të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun tonë”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, Rugovën e kujton me mirënjohje të përhershme.
“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit. Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

