Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se 22 vatra të zjarrit janë aktive në Kosovë, bazuar në të dhënat e përditësuara në gjashtë orët e fundit.
Situata, sipas kësaj agjencie, është më e rënduar në fshatin Kçiq të Vogël të Mitrovicës, ku për lokalizimin e zjarreve është kërkuar ndihmë nga KFOR-i, FSK-ja dhe Policia.
“Në ndihmë për intervenim në fshatin Kçiq aktualisht janë Njësitë e Mitrovicës Jugore dhe Veriore, Zubin Potok, Prishtinë, Vushtrri, Njësia Nacionale për shuarjen e zjarreve”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se menaxhimi i situatës po zhvillohet në koordinim të plotë nga Qendra Operative e Agjencisë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.