Kosova sot, 12 qershor, shënon 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
27 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë. Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.
Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.
Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse, ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.
Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.
Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.
Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force”.
Në 25-vjetor, do të ketë disa aktivitete.
Agjenda e Qeverisë në detyrë dhe Presidencës në nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës:
09:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” (Prekaz)
10:30 – Homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova (Prishtinë)
10:40 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Prishtinë)
10:50 – Homazhe te varrezat e dëshmorëve. (Prishtinë)
11:00 – Homazhe te Monumenti i Heroit Zahir Pajaziti (Prishtinë)
16:00 – Ekspozita fotografike “KFOR and Kosova 25+” (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”)
19:00 – Mbahet koncert festiv “Liria na bashkon” (Shtëpia e kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë)
27 vjet përkushtim ndaj sigurisë në Kosovë, Italia: Kontingjenti italian mbetet më i madhi në KFOR
Për 27 vjet radhazi Italia ka qëndruar e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, ka deklaruar Ambasada italiane në vend.
Në 27-vjetorin e çlirimit, Ambasada italiane ka ndarë fotografi nga qershori 1999 në Kosovë dhe ka shkruar se edhe pas gati tri dekadash kontingjenti italian mbetet më i madhi në KFOR.
“12 qershor 1999 - 27 vjet paqe, 27 vjet përkushtim ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës dhe rajonit. Njëzet e shtatë vjet më vonë, kontingjenti italian mbetet kontingjenti më i madh kombëtar në KFOR”, thuhet në shkrimin e Ambasadës në Ditën e Çlirimit.
27 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz, vlerësojnë lart sakrificën e Jasharëve
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz më rastin e 27-vjetorit të Ditës së çlirimit.
Në një deklarim për media Haxhiu ka theksuar rëndësinë historike të sakrificës së familjes Jashari dhe të luftës për liri.
“Nuk ka 12 Qershor pa marsin e vitit 1998, nuk ka 12 qershor pa qëndresën e komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën, tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve. Ata mbrojtën idenë që populli ynë nuk mposhtet asnjëherë. Sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lirë”, ka deklaruar Haxhiu, ka raportuar EO.
Ndërsa Kurti ka thënë se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, duke vlerësuar se epopeja e familjes Jashari është themel i historisë moderne të Kosovës dhe i idealit për liri e shtetësi.
“Meqenëse më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tre brezat e Jasharëve qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë, për bashkim, për shtet dhe për pavarësi. Beteja epike e Jasharëve, e Bacës Shaban me dy djemtë e tij, Hamzën e Ademin, me gratë e tyre, Zahiden e Zarifen, Feriden e Adilen dhe me të gjithë të tjerët, të cilët nuk u nënshtruan për asnjë moment, është sot në thelb të historisë së popullit tonë, dhe atë jo vetëm si Kosovë e si republikë demokratike, por njëkohësisht edhe si komb shqiptar, në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata janë, dhe në kuptimin e shtrirjes përtej së tashmes, pra nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen kur, siç thotë edhe himni kombëtar shqiptar, ne do të rrojmë”, ka deklaruar Kurti.
Haxhiu e Kurti kanë bërë homazhe edhe te përmendorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Begaj: Liria e Kosovës erdhi me luftën e UÇK-së dhe vendosmërinë e aleatëve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën në 27-vjetorin e çlirimit.
Ai ka shprehur mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
“Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë. Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë! Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!” ka shkruar presidenti në Facebook.
SHBA-ja riafirmon angazhimin: Nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka riafirmuar angazhimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Kosovë, tek ka përkujtuar hyrjen e trupave të NATO-s 27 vjet më parë.
Në përvjetorin e çlirimit, Ambasada ka ndarë fotografi nga qershori 1999 dhe ka deklaruar se SHBA-ja nderon qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës.
“Njëzet e shtatë vjet më parë, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për paqe dhe stabilitet. Ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
27 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.





