Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se u është caktuar masa e paraburgimit pesë zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
Në një komunikatë IPK-ja ka thënë se hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident .
“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimit, IPK-ja ka njoftuar se pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.
