Arbëri

Abdixhiku: Kjo shfaqje teatrale e mandatarëve pa numra, të marrë fund

Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje ku propozoi Glauk Konjufcën mandatar të ri për Qeveri, ka thënë se kjo shfaqja teatrale dhe e mandatarëve pa numra, duhet të marrë fund.

“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh. Trajtojeni si të tillë. Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Tutje, Abdixhiku shkroi se dëshiron të besojë që “Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën mandatar për qeveri të re. Më 26 tetor, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk i pati numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë “Kurti 3”.