Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur reagimit të disa partive të komuniteteve joshumicë joserbe, që e akuzuan se në propozimin për qeveri të tranzicionit i ka përjashtuar komunitetet. Në reagim, Abdixhiku ka thënë se këto parti minoritare po instrumentalizohen dhe po kopjojnë gjuhën fyese të polarizuesve.
Para seancës së dështuar të Kuvendit për konstituim, deputeti i komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi, krah deputetes së komunitetit boshnjak Emilja Rexhepi dhe atij serb Nenad Rashiq, akuzoi Abixhikun për “përjashtim” në konferencën e tij të një dite më parë kur bëri publik propozimin për qeveri të tranzicionit. Edhe pse në letrën drejtuar Albin Kurtit, kryetarit të VV-së, Abdixhiku i kishte përmendur komunitetet, ata akuzuan Abdixhikun për fjalën në konferencë.
“Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare. Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të mërkurën pas seancës. “Ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare”.
Ai ka shtuar se të kërkohet bashkim i partive shqiptare nuk është krim. Madje sipas tij ky ka qenë mision i LDK-së që nga fillimi.
“Ç’është e vërteta, në 17 vite shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë. Me Kushtetutën e hartuar nga LDK. Gjersa fatkeqësisht, për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake. Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë. Një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare”, ka shtuar Abdixhiku që ka postuar edhe pjesën e letrës në të cilën ka përmendur partitë e komuniteteve joshumicë për përfshirje në qeverinë e propozuar të transicionit.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”, thuhej në letrën e tij.