Kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundimin e mandatit të dytë. Kryetari Shpend Ahmeti kërkon që puna e tij të vlerësohet pasi nuk do të jetë më në krye të Prishtinës.
Ahmeti kthehet në fillim të mandatit të parë, kur Prishtinën e gjeti me probleme të furnizimit me ujë e me trafikun urban pranë privatizimit.
Sot, thotë ai, Prishtina nuk ka reduktime uji e autobusët e verdhë janë pjesë e shumicës së qytetit.
“Ka punë për secilin kryetar të Prishtinës edhe për 50 vjetët e ardhshëm. Sot më vjen mirë që nuk diskutojmë për ujin, nuk diskutojmë për problemet bazike, njerëzit sot nuk flasin për shërbimet shëndetësore të cilat ua ofrojmë. Në zgjedhjet e fundit partitë premtonin digjitalizimin e shkollave dhe Prishtina e ka atë dhe askush nuk e përmend. Secili prind mund të hyjë online të shohë se çfarë note ka fëmija i tij, çka i ka thënë secili profesor, sa ka munguar prej orëve dhe çdo detyrë që e ka pasur, e këtë nuk e kemi as në shkollat private në Kosovë. Por po them që puna të matet pasi nuk jemi këtu, sepse njerëzit kur jetojnë me ndryshime shpesh nuk i shohin. Disa probleme të cilat i ka pasur sot nuk i ka, nuk i bien ndër mend, në rregull! Qytetarët duhet të kërkojnë çdoherë më shumë”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, disa nga premtimet kanë ngecur edhe për shkak të pandemisë, porse do të iniciohen para se të përfundojë mandatin.
“Nga 60 mijë banorëve të kyçur që kanë pasur nga 4 orë ngrohje, sot kemi mbi 90 mijë që kanë 24 orë dhe e kanë lehtë për të paguar. Reformat e tilla kërkojnë shumë vjet, disa i kemi përfunduar, disa ua lëmë administratave të tjera, të cilat e kanë bukur shumë më të lehtë që ta përfundojnë. Sivjet përfundon parkingu nëntokësor, pra para përfundimit të mandatit ta bëjmë edhe atë hapje me 700 vendparkingje, pres të hapet edhe salla koncertale. Sot përfundon edhe përzgjedhja për sallën sportive me dorë, salla më e mirë dhe më e bukur që do të jetë në Republikën e Kosovës. Për të gjitha këto po mundohemi t’i nënshkruajmë kontratat dhe të fillojnë e pastaj, kur të përfundojnë, besoj që edhe unë, edhe qytetarët e tjerë do t’i ndjekim këto lojëra evenimentesh që do të zhvillohen”, ka shtuar ai.
Por të kundërtën e thotë Organizata Iniciative për Progres (INPO). Përmes një konference për media gjatë ditës së premte ata kanë treguar se Shpend Ahmeti ka realizuar vetëm 28 nga 100 premtimet e dhëna në mandatin e dytë. 15 prej tyre janë gjysmë të përmbushura, ndërsa 34 prej tyre ende nuk kanë filluar.