Arbëri

AIP-ja “vulos” mostransparencën

Kur institucionet nuk ofrojnë të dhëna zyrtare, Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka për detyrë që t’i obligojë ato të jenë transparente. Por, të paktën në tri situata kjo agjenci ka mbyllur rastet pa u siguruar që qytetarët, gazetarët dhe shoqëria civile i kanë marrë përgjigjet e kërkuara

Mosofrimi i informatave nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar (SHSKUK) për barnat me afat të skaduar është legjitimuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila e ka mbyllur rastin megjithëqë ky institucion nuk ka dhënë përgjigje konkrete në pyetje.

SHSKUK-ja nuk i ka bërë të ditura vlerën dhe sasinë e barnave me afat të skaduar që ndodhen në Barnatoren Qendrore, as pas vendimit detyrues të Agjencisë.

AIP-ja fillimisht e ka cilësuar përgjigjen e SHSKUK-së në pyetjen e adresuar nga KOHA lidhur me rastin si të pjesshme dhe ka kërkuar plotësim. E më pas, edhe pse përgjigjja ka mbetur e mangët, në këtë agjenci e kanë pranuar si të plotë dhe e kanë mbyllur rastin brenda 20 minutash, pas dorëzimit të saj.

“Më poshtë keni ndarë me palën ankuese dhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi disa përgjigje të përmbledhura lidhur me çështjen e ngritur nga pala ankuese. Në këtë fazë të shqyrtimit të kësaj ankese, institucioni juaj ka për obligim të ofrojë përgjigje për secilën nga gjashtë pyetjet e paraqitura. Sipas përmbajtjes së përgjigjeve të ofruara, AIP vlerëson se ju keni ofruar vetëm qasje të pjesshme ndaj tërësisë së informacioneve të kërkuara. Për ta konsideruar si rast të mbyllur, ShSKUK duhet t’i referohet secilës pyetje dhe poshtë saj të japë përgjigjen përkatëse”, thuhet në emailin që AIP-ja ia pati përcjellë SHSKUK-së, pas përgjigjes së mangët.

Por në SHSKUK sërish e kanë përcjellë të njëjtën përgjigje të drejtoreshës së Barnatores në QKUK, Dardane Mehaj, në të cilën nuk përfshihet informacioni mbi vlerën dhe sasinë e barnave me afat të skaduar.

“Për shkak se produktet medicinale te ne kur regjistrohen numërohen me njësi, (copë, mililitër, kg). Në momentin e asgjësimit duhet t’iu largohet ambalazhi për produktet e amabalazhuara, si dhe produktet e lëngshme, andaj është e pamundur të jenë të barasvlershme sasitë dhe pesha”, thuhet në përgjigjen përfundimtare të SHSKUK-së.

AIP-ja e ka pranuar këtë përgjigje. E se ka shifrat ekzistojnë, drejtoresha Mehaj ka konfirmuar dy javë më vonë në emisionin “Konfront” të KTV-së.

“Ka barna. Më shumë është material medicinal që duhet të asgjësohet. Shifrat momentalisht nuk i kam, mirëpo mundem t’i ofroj. Iu kam ofruar kushdo që na ka bërë kërkesë”, është thënë në përgjigjen e saj.

Në probleme me agjencinë, e cila është e thirrur për ta luftuar mostransparencën, kanë hasur edhe gazetarë të tjerë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Marigona Brahimi, gazetare në KOHA, ka thënë se AIP-ja e ka mbyllur një rast që ajo e ka ngritur ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), pa i siguruar përgjigjet e kërkuara.

“Agjencia e ka detyruar Ministrinë të më kthejë përgjigje, mirëpo nga 13 pyetjet që ia kam parashtruar Ministrisë, ajo më është përgjigjur në vetëm tri prej tyre. Ndërkaq, në 7 pyetje më ka dhënë përgjigjen e njëjtë, e cila nuk ka qenë përgjigje në fakt në asnjërën prej këtyre 7 pyetjeve dhe pavarësisht ankesës sime tjetër në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Agjencia e ka mbyllur rastin duke thënë se unë i kam marrë përgjigjet që i kam kërkuar, gjithashtu në arsyetim ka qenë se ata nuk mund ta detyrojnë institucionin se si t’i formulojë përgjigjet”, ka theksuar ajo.

Përvojë të ngjashme ka ndarë edhe hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, e cila ka bërë të ditur se do të ngrejë padi ndaj Agjencisë dhe SHSKUK-së për mosofrim të informatave zyrtare.

“Prej qershorit, në asnjë prej kërkesave, përveç konfirmimit që e kam pranuar kërkesën, ankesën, në asnjë prej tyre nuk më kanë kthyer përgjigje. Madje ka qenë një, kur unë jam ankuar pse nuk e keni kryer brenda afatit ligjor, ka qenë një përgjigje plot arrogancë, që ka shumë radhë dhe nuk i ka ardhur radha ende. Për mua si qytetare, profesioniste dhe hulumtuese shëndetësore, por edhe për secilin gazetar apo qytetarë nuk është çështje që na intereson se pse Agjencia për Informim nuk po arrin t’i kryejë kërkesat. Ne e dimë afatin ligjor dhe nëse nuk është kryer brenda afatit ligjor është shkelur e drejta jonë”, ka thënë Ramaj.

KOHA ka dërguar pyetje në Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhur me vonesat shumëmujore në trajtimin e ankesave, si dhe për mbylljen e lëndëve pa marrë konfirmim nga pala ankuese, por gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas Ligjit për qasje në dokumente publike, AIP-ja mbron të drejtat e individëve në lidhje me të dhënat personale dhe siguron transparencë e llogaridhënie të institucioneve publike nëpërmjet garantimit të qasjes në këto dokumente.