Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AKK-ja paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të Rregullores për pranimin në shërbimin civil

akk

Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka vendosur që Rregullorja e Qeverisë për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj.

Përmes një qëndrimi zyrtar, AKK-ja ka theksuar se komunat nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale, duke theksuar se kjo e drejtë është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Asociacionit, komunat ushtrojnë kompetencat e tyre vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara përmes organeve përfaqësuese dhe në përputhje me parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit.

“Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, thuhet në reagim.

AKK vlerëson se Rregullorja e Qeverisë përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal.

Sipas këtij asociacioni, një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.

Për këtë arsye, AKK-ja ka bërë të ditur se përmes komunave do ta dërgojë këtë rregullore në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.

 Rregullorja për Pranimin në Shërbimin Civil është një akt nënligjor që përcakton rregullat, kriteret dhe procedurat transparente për punësimin e nëpunësve të rinj në institucionet shtetërore, duke garantuar meritokracinë dhe konkurrencën e hapur.