Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AKK: Komunat pritet të dëmtohen mbi 150 milionë euro këtë vit

Sazan Ibrahimi

Komunat e Kosovës pritet të dëmtohen financiarisht me mbi 150 milionë euro gjatë vitit 2026, si pasojë e vendimeve gjyqësore, moszbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, reduktimit të grantit të arsimit dhe përgjysmimit të grantit të performancës, ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 60 milionë euro nga vendimet gjyqësore, shumica prej të cilave lidhen me kontratat kolektive.

“Këtë vit, viti 2026, është viti më i rëndë financiar për komunat e Republikës së Kosovës. Janë duke u marrë mjete financiare padrejtësisht të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, pa dallim partiak. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, komunave nga vendimet gjyqësore, ku shumica e tyre kanë të bëjnë me kontratat kolektive, ju kanë marrë mbi 60 milionë euro”, deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi tha se një barrë tjetër financiare për komunat do të jetë edhe moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përvojën e punës së shërbyesve publikë.

“Tani, pjesa tjetër është ku ministri Hekuran Murati nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket normës së përvojës së punës, ku Gjykata Kushtetuese ka thënë që norma e përvojës së punës duhet paguhet 0.5% për vit. Kurse ministri Murati e ka zbatuar normën prej 0.25% të përvojës së punës që nga fillimi i vitit 2023, vitin 2024, vitin 2025, për shërbyes publik. Dhe tani, në bazë të informatave që i kemi nga niveli lokal, numrin e shërbyesve publikë në nivel lokal, dëmi i cili do t’i shkaktohet komunave apo buxheteve komunale, për shkak që ministri Murati nuk e ka zbatuar atë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, do të jetë përafërsisht 60 milionë euro”, deklaroi Ibrahimi.

Edhe GAP: Komunat paguan 126.6 milionë euro për vendime gjyqësore e përmbarimore më 2025 Arbëri 1 muaj më parë GAP: Komunat paguan 126.6 milionë euro për vendime gjyqësore e përmbarimore më 2025

Sipas tij, komunat do të përballen edhe me një reduktim të grantit specifik për arsim.

“Shtoj kësaj edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku granti specifik për arsim ka me qenë i reduktuar për komuna rreth 24 milionë euro, ku mbi 3,000 mësimdhënës në nivel lokal do të paguhen nga buxhetet e komunave të Republikës së Kosovës dhe vlera do të jetë rreth 24 milionë euro”, tha ai.

Ibrahimi kritikoi edhe vendimin për përgjysmimin e grantit të performancës për komunat përfituese.

“Ministri i Pushtetit Lokal mori vendim apo Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim që grantin për performancë, shumën e cila ka qenë e dedikuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2026 ka qenë 4 milionë euro. Mirëpo në mënyrë të jashtëligjshme ata i përgjysmuan këtë grant dhe vendosën që në vend të 4 milionë euro të jetë 2 milionë euro. Domethënë dëmi ndaj pesë komunave përfituese është rreth 2 milionë euro. Në total këtë vit, domethënë bazuar në llogaritë tona, i del që komunat do të dëmtohen nga aspekti financiar mbi 86 milionë euro. I përmblodha nga të gjitha katër dëmet pothuajse kryesore të cilat niveli qendror ia ka shkaktuar nivelit lokal nga aspekti financiar”, deklaroi Ibrahimi.

Ai paralajmëroi se shumica e këtyre mjeteve do të merren nga investimet kapitale, subvencionet dhe mallrat e shërbimet.

“Dhe paramendoni tash, shumica absolute e këtyre mjeteve do të mirren nga investimet kapitale, nga subvencionet, nga mallrat dhe shërbimet, dhe çfarë do të munden kryetarët e komunave të investojnë në komunat e tyre përkatëse. Domethënë nëse vazhdon një trend i tillë dhe nëse vazhdon një papërgjegjësi totale e nivelit qendror kundra komunave, shumë shpejt komunat mund të shndërrohen në njësi administrative të cilat nuk do të kenë mjete financiare për investime kapitale, për mallra, shërbime dhe subvencione, dhe do të jenë përgjegjës vetëm për shpërndarjen e certifikatave të lindjes dhe certifikatave të tjera. Pra ky është një dëm kolosal i cili është duke iu shkaktuar komunave me qëllim dhe me vetëdije”, tha ai.

Ibrahimi tha se niveli qendror po bart te komunat përgjegjësi financiare që nuk burojnë nga vendimet e tyre.

Edhe 5 mln euro vlera e dëmeve nga vërshimet, komunat i kërkojnë nivelit qendror alokim të mjeteve Arbëri 3 muaj më parë 5 mln euro vlera e dëmeve nga vërshimet, komunat i kërkojnë nivelit qendror alokim të mjeteve

“Dhe duke marrë parasysh që kontratat kolektive nuk janë nënshkruar nga komunat, po nga niveli qendror, atëherë kjo është edhe përgjegjësi institucionale e nivelit qendror. 24 milionë euro, të cilat komunat do të jenë të obliguara t’i ndajnë për mësimdhënësit, është dashur që të bëhet një strategji që shkallë-shkallë të eliminohet ky problem apo të minimizohet ky problem. Mirëpo niveli qendror në mënyrë arbitrare ka marrë vendim që këto 24 milionë euro komunat duhet t’i ndajnë për t’i mbuluar koston e mësimdhënësve të cilët janë me kontrata”, deklaroi Ibrahimi.

Ai shtoi se pasojat financiare do të rëndohen edhe nga kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.