Arbëri

Alarmi i rremë për bombë jep shkëndija për zhbllokim të Kuvendit

Kuvendi

Një alarm për bombë brenda objektit të Kuvendit bëri që vazhdimi i seancës konstituive, i caktuar për orën 11 të shtunën, të mbahet në orën 20:00. Kërcënimi rezultoi i rremë. E në mbrëmje dështoi edhe tentimi i 42-të për ta konstituuar Kuvendin. Por, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se ka reflektuar dhe paralajmëroi një mocion për ta rikthyer votimin e hapur për kryeparlamentarin, në të cilin u zotua se do të votojë pro secilit kandidat të LVV-së. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia miratoi këtë qëndrim, duke thënë: “Po shumë mirë ka thënë”

Vetëm 6 minuta para kohës kur ishte planifikuar të niste vazhdimi i 42-të i seancës konstituive, që pritej të mbahej prej orës 11:00, Kuvendi u njoftua për një kërcënim me bombë.

Policisë iu dha njoftimi nga një zyrtare e lartë e Parlamentit dhe brenda pak minutash, objekti u evakuua.

Përgjegjësi për siguri i Kuvendit urdhëroi që salla ku po mbahet seanca të lirohej.

Të parët prej aty dolën deputetët.

“Gazetarë, 2 minuta, krejt jashtë! – Merrni pajisjet krejt jashtë menjëherë”, kërkoi ai.

Urdhri u ndoq edhe nga gazetarët.

Kur hapësira brenda Kuvendit u lirua, jashtë saj Policia ngriti perimetër sigurie prej 50 metrash.

Deputetët u shpërndanë, ndërsa anëtarët e kabinetit qeveritar hynë në objektin e Qeverisë.

E kur objekti u zbraz në tërësi, njësiti për deminim i Policisë dhe ai K9 me qenë, nisën operacionin antibombë. U kontrolluan edhe ballkonet dhe hapësirat brenda.

Pos tyre, ekzaminime iu bënë edhe veturave të parkuara para oborrit të Kuvendit.

E situatën, disa nga deputetët e cilësuan serioze teksa disa patën dyshime.

“Ndoshta është një telefonatë e qëllimshme për t’i larguar deputetët prej Parlamentit se një njeri normal nuk e sulmon institucionin e Kuvendit të Kosovës dhe nuk i sulmon deputetët”, theksoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

E, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, pati vlerësim më ndryshe.

“Nuk është ndjenjë e mirë, është serioze. E marrim seriozisht. Edhe pse ka dyshime që mund të jetë kërcënim i rrejshëm”, tha ai.

Ndonëse nuk dihej se kur do të krijoheshin rrethanat e sigurisë, sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, bëri të ditur se vazhdimi i seancës që u shty në mëngjes do të zhvillohet në mbrëmje.

“Seanca konstituive, e përcaktuar sot për në ora 11:00, pas alarmit për bombë i vazhdon punimet sot në ora 20:00 sipas njoftimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari”, kumtoi ai para gazetarëve. “Policia, njësitet e veçanta antibombë janë duke i bërë veprimet e veta policore. Ne mbetemi që të qëndrojmë jashtë ndërtesës së Kuvendit, së paku 50 metra largësi sipas rekomandimeve kryesore”.

Operacioni i kontrollit zgjati tri orë e gjysmë dhe kërcënimi rezultoi se ka qenë i rrejshëm.

Pas kësaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, shpalosi hollësi për operacionin. Bëri të ditur se kërcënimi me bombë u bë nëpërmjet një thirrjeje telefonike nga një person me zë mashkulli, që, siç tha, theksin e gjuhës angleze e pati si të personave nga vendet jomike të Kosovës.

“Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa u përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. Patjetër se hetimet do të vazhdojnë sa i përket prejardhjes së kërcënimit apo më mirë të thuhet thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze me një aksent që ne mendojmë se për momentin është me një aksent të shteteve jomike”, theksoi prokurori Gashi.

Për këtë telefonatë, Gashi tha se janë angazhuar edhe ekipet e krimit kibernetik dhe se hetimet do të vazhdojnë.

E, sipas paralajmërimit, vazhdoi edhe seanca konstituive e Kuvendit në orët e darkës. Por, rezultati qe i njëjtë – as në vazhdimin e 42-të nuk është zgjedhur kryeparlamentari.

Në hyrje të kuvendit, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, dha sinjale reflektimi. Ai paralajmëroi një mocion për ndërrim të rendit të ditës dhe për të kaluar sërish në votim të hapur dhe tha se, posa të arrihet kjo, ai do të votojë për cilindo kandidat.

“Kur të dalim në atë votimin e hapur do të reflektoj unë së pari, sepse nuk dua në kurriz të Kosovës të mbaj hidhërim me askënd. As nuk ma determinon mendimin politik as opozita sepse s’jam opozitë se s’dihet kush do ta bëjë qeverinë”, ka thënë Berisha. “Ka qenë alarm i rrejshëm (për bombë në Kuvend v.j.), por kur s’ka institucione për kohë të gjatë, mund të bëhen të vërteta”.

Pak çaste më pas, për qëndrimin e Berishës u pyet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai e miratoi këtë qëndrim, duke thënë: “Po shumë mirë ka thënë”.

Megjithatë, nisma nuk u pa në sallë.

Deputetët e zgjedhur nuk e zhbllokuan situatën në Kuvend, as në tentativën e 42-të, që ndryshe nga herët e tjera, është organizuar natën.

Vetëm 39 ligjvënës kanë votuar pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin. Pasi e kumtoi këtë rezultat kryesuesi Avni Dehari, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë pas dy ditësh.

Gjatë punimeve që u zhvilluan në pak minuta, Dehari ua ndali fjalimet deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e edhe asaj të LDK-së, Jehona Lushaku. Të dyja kur u ftuan për ta dhënë përfaqësuesin e partisë në komision, nuk ofruan emra, por kërkuan që të rikthehet votimi i hapur.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë, por kanë dështuar për ta konstituuar Kuvendin. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë.

E më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i obligojë deputetët që për 30 ditë të konstituojnë Kuvendin.

Aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe prej LVV-së dhe ndryshe prej partive të tjera. Përderisa LVV-ja pretendon se vendimi konstaton që lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit, e kundërta pretendohet nga partitë e tjera.

Këtë javë, ndaras, PDK-ja dhe LDK-ja i janë drejtuar sërish Kushtetueses dhe një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe LVV-ja, por edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila synon t’i definojë Kushtetuesja pasojat në rast se përbërja e re e Kuvendit nuk konstituohet brenda afatit 30-ditësh që e ka dhënë.