Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Alergologjia për mbi dy vjet pa materiale për testimin e alergjive

SHSKUK - Administrata Qendrore

Klinika e Alergologjisë në QKUK prej më shumë se dy vjetësh nuk ka arritur të furnizohet me materialet e nevojshme për testet e alergjisë. Në QKUK, kanë thënë se janë bërë disa përpjekje për furnizim dhe është lidhur edhe një kontratë, por gjendja nuk është përmirësuar. E njohësit e shëndetësisë e konsiderojnë këtë situatë urgjente dhe kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të ndërhyjë duke audituar tenderët e dështuar.

Për më shumë se dy vjet, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dështuar ta furnizojë ambulancën specialistike të alergologjisë me materiale bazë për diagnostikimin e alergjive inhalatore dhe ushqimore.

KOHA ka raportuar edhe më herët se pacientët që drejtohen në këtë ambulancë detyrohen t’i kryejnë analizat në klinika private dhe më pas të kthehen në QKUK për ta vazhduar trajtimin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për mungesën e këtij furnizimi, nga Barnatorja Qendrore kanë thënë për KOHËN se janë bërë përpjekje të vazhdueshme për sigurimin e testeve.

“Sa i përket furnizimit me teste të alergjisë ju informoj që pas disa përpjekjeve të vazhdueshme në prokurim kemi lidh kontratë për testet e alergjisë ,mirëpo OE nuk ka përmbushur kushtet e kontratës dhe është shkëputur kontrata me rekomandimin e menaxheres se kontratës. Pas aprovimit tē planifikimit dhe buxhetit, do riinicohet kërkesa për furnizim”, u tha nga Barnatorja Qendrore.

Për këtë mospërmbushje të kontratës, KOHA ka pyetur nëse operatori ekonomik është gjobitur.

Por nga Zyra e Prokurimit në QKUK kanë thënë se masa e vetme e ndërmarrë ka qenë shkëputja e kontratës.

“Lidhur me temën e gjobitjes për mosrealizimin e kontratës, ju njoftojmë se AK-QKUK ka përdorur mjetin e vetëm ligjor që ka pasur në dispozicion, i cili ka qenë shkëputja e kontratës. Pas shkëputjes së kontratës, AK-QKUK e ka ri-tenderuar këtë procedurë edhe katër herë, por asnjëherë nuk ka pranuar oferta”, u tha nga Zyra e Prokurimit të QKUK-së.

Edhe ministri Vitia pranon se ka këso telashe për të cilat thotë se operatoret ekonomik duhet të ndëshkohen.

“Po, herë pas here ndodh që të kemi mungesa tranzitore të barnave, qoftë për shkak të vonesave në sjelljen e tyre nga operatorët e ndryshëm ekonomik, të cilët natyrisht pastaj konform ligjeve në fuqi penalizohen për vonesat”, tha Vitia.  

Ndërsa Ligji për Prokurimin Publik parasheh këto masa ndaj operatorëve ekonomikë që nuk i përmbahen kontratës. 
“Nëse autoriteti kontraktues vendos se ka ndodhur një ngjarje që kërkon konfiskimin e sigurisë së ekzekutimit, siç është cekur në kontratën përkatëse, autoriteti i tillë kontraktues mund të zbatojë rregulla të tilla të këshilluara nga kontrata, letra e kreditit, bono të performances apo sigurimin bankar, apo nga ligji”, thuhet në nenin 63 të Ligjit për Prokurim Publik.

E njohësi i politikave shëndetësore, Vlorjan Molliqaj, thotë se mungesa e ofertave nga kompanitë në këto tenderë tregon për probleme më të thella në proces.

“Ky është një problem më i thellë, sepse kur një tender hapet normalisht të gjitha kompanitë do të duhej të kishin synim që ta fitojnë atë tender. Mirëpo mungesa e ofertimit tregon për një problem që ky tender apo tenderët në fjalë e kanë. Prandaj unë mendoj që Ministria e Shëndetësisë, bashkë me udhëheqësit e SHSKUK-së, ta bëjnë një audit të thellë të të gjithë tenderëve që po dështojnë dhe t’i analizojnë në hollësi se ku është problemi dhe pse këto tenderë po dështojnë”, tha Molliqaj.

Molliqaj thotë se urgjentisht duhet shqyrtohen edhe mundësitë për lidhjen e kontratave më afatgjata, një praktikë që, sipas tij, po përdoret jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe në ato të Bashkimit Evropian për të shmangur situata të tilla të dështimit të tenderëve.

KOHA ka kontaktuar edhe dy klinika private për të pyetur për çmimin e analizave për alergjitë inhalatore dhe ushqimore. Nga këto klinika është thënë se testet kushtojnë rreth 100 euro.