Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Në një njoftim në Facebook nga Ambasada është thënë se SHBA-ja pret të punojë me qeverinë e re në çështjen e paqes, stabilitetit e përparimit ekonomik.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës. Presim të punojmë me qeverinë e re për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe përparimin ekonomik të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.
Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të mërkurën ka votuar për formimin e Qeverisë Kurti 3. Për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me një kabinet me 19 ministri, kanë votuar 66 deputetë, 49 kanë votuar kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar. Seanca për formimin e Qeverisë është mbajtur pas seancës konstituive ku është inauguruar legjislatura e X-të e dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor.