Arbëri

Anulohet seanca për Nagip Krasniqin, shkak avancimi i kryetarit të trupit gjykues

Seancë gjyqësore

Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila ishte paraparë për sot nga ora 09:30.

Anulimin e kësaj seance e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila tha se shkaku i anulimit është avancimi i kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, në Gjykatën e Apelit.

Sipas saj, për këtë lëndë gjyqësore së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri.

“Gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lidhur me këtë, lënda në fjalë do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore, për çka do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Gashi për KOHËN.

Në aktakuzën e ngritur në gusht të vitit 2024, Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm prej rreth 3.2 milionë eurosh.

Sipas aktakuzës, Krasniqi gjatë viteve 2022-23 me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhet me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji.