Mit’hat Lozhani, shtetas i Kosovës, është arrestuar të enjten gjatë kalimit transit në Serbi, ka njoftuar avokati i tij, Arianit Koci.
Në një shkrim në Facebook, Koci ka njoftuar se Lozhani u arrestua rreth orës 11:00. Ai ka bërë thirrje që shteti ta trajtojë me seriozitet çështjen e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi.
“Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen. Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”, ka shkruar Koci.
Ai ka shtuar se mbrojtja e qytetarëve është përgjegjësi e shtetit edhe jashtë kufijve të tij.
Nga qershori 2025 deri në dhjetor 2025, Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.
Cak i arrestimeve kanë qenë kryesisht tri kategori: ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, si dhe qytetarë serbë të cilët Beogradi i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës.