Arbëri

Arrestohet një person nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Zveçan 2023

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin S.R. nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.

“Për veprimet e mëtutjeshme publiku do të njoftohet në kohë”, ka njoftuar Prokuroria të mërkurën.

S.R. është në mesin e dhjetëra të arrestuarve për trazirat në Zveçan para tri vjetësh. 

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Kosova po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.