Arbëri

Asamblisti i VV-së në Prishtinë: Ndërmarrjet publike janë në degradim

Egzon Azemi, asamblist i LVV-së në Prishtinë, ka thënë se ndërmarrjet publike komunale janë në degradim e sipër, e sipas tij, disa rrezikojnë falimentimit. 

Ai ka akuzuar pushtetin aktual në Komunën e Prishtinës për keqmenaxhim dhe regres. 

“Fatkeqësisht pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike janë në degradim e sipër. Ky 4-vjeçar më shumë ka pasur prapakthim sesa përparim. Mund ta shohim rastin e ndërmarrjes Sportmarketingu, pishina Gërmia nuk ka mundur të jetë e hapur pothuaj tërë sezonin, vetëm për shkak të keqmenaxhimit, mosinteresimit në ndërmarrje publike. Interesi i tyre në ndërmarrje publike ka qenë vetëm punësimi. Sot në rrezik është ndërmarrja ‘Pastrimi’, në rrezik të falimentimit është ndoshta edhe Sportmarketing, në rrezik financiar është Ndërmarrja Publike Banesore”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV. 

Azemi i ka vlerësuar si problemet më të mëdha në kryeqytet kaosin në trafik, çështjen e menaxhimit me mbeturinat dhe degradimin e hapësirave të gjelbra. 

“Të gjithë qytetarët e Prishtinës kanë shpresuar shumë më shumë, asnjëherë nuk e kanë menduar se do të ketë regres gjatë 4 vjetëve. Fatkeqësisht ky 4-vjeçar më shumë ka pasur regres. Sot kur e shohim kryeqytetin me më shumë mbeturina se në të kaluarën, me më pak rrjet ndriçimi, është e dhimbshme. Ne kemi bojkotuar seanca ku pazaret politike kanë qenë pikërisht te koeficienti dhe pronat. Aty ka pasur pakënaqësi edhe brenda vetë grupit të LDK-së”, potencoi ai.