Arbëri

Asgjë e re në dialog

bashkimi evropian flamujt

BE-ja “e gatshme” të organizojë takime kur palët të jenë gati

Kriza institucionale në Kosovë, protestat në Serbi dhe pafuqia e Bashkimit Evropian, kanë bërë që për muaj të tërë të mos ketë ndonjë zhvillim domethënës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në këto rrethana zyrtarët e BE-së kur pyeten për dialogun nuk kanë çfarë të thonë pos të përsërisin atë që dëgjohet për shumë vite, se “BE-ja po punon me palët”, se “dialogu është i rëndësishëm për rrugëtimin evropian” dhe se BE-ja është e gatshme të organizojë takim mes palëve kur ato të jenë gati.

Kështu janë përgjigjur përmes një zëdhënësi në BE edhe në pyetjet se a mund të pritet ndonjë zhvillim në procesin e dialogut, sidomos pas mesazhit që ka dhënë edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron të dielën pas një bisede që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“BE-ja, si lehtësuese e dialogut, është duke punuar me palët drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’i adresojë të gjitha çështjet e hapura. BE-ja pret nga Serbia dhe Kosova që t’i përmbushin detyrimet e tyre nga dialogu duke pasur parasysh lidhjen direkte të normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me perspektivën në aspiratat e tyre drejt BE-së. Rruga për në Bashkimin Evropian për të dyja palët shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.

Sa i përket mundësive që të ketë takime te reja në procesin e dialogut, BE-ja e lidh këtë me gatishmërinë e palëve.

“Dialogu vazhdon me takime të rregullta bilaterale dhe trilaterale në nivel teknik dhe të kryenegociatorëve. Takimi i fundit ishte në muajin qershor.  BE-ja mbetet e gatshme të organizojë një raund të radhës të bisedimeve sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë, përfshirë edhe në nivelin më të lartë. Takim i radhës do të shpallet në kohën e duhur”, thuhet në përgjigje.

Këto janë përgjigje të përgjithshme dhe ato janë dhënë në të njëjtën mënyrë edhe më herët.

Ndërkohë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur edhe më shumë pas disa arrestimeve që kanë ndodhur edhe në Kosovë edhe në Serbi. BE-ja ka bërë ftesë që “të shmangen veprimet e  njëanshme që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe shkojnë kundër frymës së normalizimit”.

Disa diplomatë evropianë janë shprehur se nuk besojnë që së shpejti mund të ketë ndonjë  zhvillim të rëndësishëm në procesin e dialogut. Nuk shohin gatishmëri tek asnjëra palë. Madje edhe për takimet e rralla që janë zhvilluar muajve të fundit diplomatët thonë se kanë shërbyer vetëm që palët të përsërisin qëndrimet e tyre dhe të adresojnë akuza ndaj njëra tjetrës.