Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asociacioni i Komunave i drejtohet Kushtetueses kundër Qeverisë: Po cenohet autonomia e komunave

smajl latifi

Foto: KP

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për ta kundërshtuar Rregulloren Nr. 07/2025 që rregullon procesin e rekrutimit në shërbimin civil.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se rregullorja prek autonominë e komunave dhe tejkalon kompetencat e pushtetit qendror ndaj nivelit lokal.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë, sipas tij, shkeljen e Kushtetutës dhe të standardeve ndërkombëtare nga ana e Qeverisë.

“Kjo është tentativa e radhës e nivelit qendror për të ndërhyrë në punët e komunave, për t’u cenuar autonominë komunave, autonomi kjo e garantuar me kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare si dhe me ligjin për vetëqeverisje lokale. Komunat nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Rregullorja e dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese për ne është kundërkushtetuese, sepse parasheh një sistem të centralizuar të rekrutimit për shërbimin civil, ku procedura e rekrutimit do të zhvillohet nga departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai.

Latifi ka thënë se rregullorja bie ndesh me decentralizimin dhe me ligjin për vetëqeverisje lokale.

“Kjo qasje, kjo mendësi e qeverisë është kundërkushtetuese, është kundërligjore dhe presim që këtë ta konfirmojë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Ne ju besojmë institucioneve tona të drejtësisë, ne i besojmë Gjykatës tonë Kushtetuese dhe presim t’i konfirmojë këto pretendime. Presim të konfirmohet se qeveria e Kosovës edhe kësaj radhe fatkeqësisht ka shkelur kushtetutën, ka shkelur aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë, siç është Karta evropiane për vetëqeverisje lokale dhe standardet e Komisionit të Venecias, sepse bie në kundërshtim me frymën e decentralizimit të pushtetit lokal, sepse ndërton marrëdhënie të paqëndrueshme midis pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, sepse është ndërhyrje në kompetencat e pushtetit lokal, pra në kundërshtim edhe me ligjin për vetëqeverisje lokale, sepse është edhe në kundërshtim me frymën kushtetuese”, tha ai.