Arbëri

Auditorët e brendshëm s’e përmbushin planin vjetor në Fushë-Kosovë e Obiliq

Foto: Koha

Auditori i brendshëm në Komunën e Fushë-Kosovës dhe ai në Komunën e Obiliqit kanë dështuar të realizojnë planin vjetor të punës.

Bazuar në planin vjetor të Auditimit të Brendshëm, NJAB në Fushë-Kosovë kishte planifikuar të kryej gjashtë raporte të auditimit. Siç thekson raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Rregullorja 01/2019 për themelimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm, neni 5.1.1 përcakton që çdo subjekt i sektorit publik me buxhet mbi shtatë milionë euro duhet të ketë së paku tre auditorë.

“Në vitin 2021 NJAB operon me dy auditorë përderisa sipas Ligjit të buxhetit duhet të ketë së paku tre auditor, e cila ka kryer vetëm një raport të auditimit. NjAB nuk ka raportuar për gjashtëmujorin e parë, kishte raportuar vetëm për raportin vjetor në Njësinë Qendrore Harmonizuese për Auditim të Brendshëm (NjQH/AB). Sipas udhëheqësit të NJAB, auditimet e planifikuara nuk janë realizuar pasi që ishte vit zgjedhor, pengesa nga pandemia Covid dhe angazhime në punë tjera, si dhe mungesa e një auditori”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së.

Tutje në raport thuhet se mospërmbushja e planit të auditimit të brendshëm, zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e sistemeve kyçe financiare, sidomos në një ambient organizativ si Komuna e Fushë-Kosovës, ku ka një numër të shkollave, institucioneve vartëse apo edhe njësive tjera të cilat krijojnë të hyra dhe shpenzime të cilat do të duhej t’i nënshtroheshin një numri auditimesh të kohëpaskohshme.

“Kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive”, thekson Auditori i përgjithshëm.

Nivel të ulët të realizimit të planit vjetor Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur edhe te auditori i brendshëm në Komunën e Obiliqit.

Bazuar në raportin e ZKA-së, plani vjetor i auditimit pritet të realizohet brenda vitit në përputhje me afatet e përcaktuara.

“Gjatë vitit 2021 Auditori i Brendshëm (AB) ka realizuar vetëm dy raporte të auditimit nga pesë të planifikuara. Aktivitetet e përfshira nën auditim i takojnë gjysmës së dytë të vitit 2020 dhe tremujorin e parë të vitit aktual. AB nuk ka raportuar në NJQH raportin gjashtëmujor dhe raportin vjetor brenda afatit kohor ligjor. Raportet ishin dorëzuar me rreth tre muaj vonesë. Kjo ka ndodhur për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm të auditimit të brendshëm dhe mungesës së monitorim Auditori ka vërejtur se në Komunën e Fushë-Kosovës nuk ka pasur funksionim efektiv as Komiteti i Auditimit. Udhëzimi Administrativ MF-01/2019 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit (KA), neni 6 dhe 8, përcakton se takimet e KA mbahen së paku katër herë në vit dhe ftohen nga Kryesuesi i KA, si dhe përgatitjen e raportit vjetor për udhëheqësin e subjektit të sektorit publik. Në vitin 2021 Komiteti i Auditimit kishte mbajt vetëm dy takime me datë 20.08.2021 dhe 18.09.2021, përderisa nuk kishte përgatit raportin vjetor për udhëheqësin e subjektit të sektorit publik. Komiteti i auditimit kishte dhënë dorëheqje në shtator të vitit 2021, sipas udhëheqësit të NJAB, ku një ndër arsyet për mospunën e tyre ishte mospagesa për punën e komitetit”, thekson raporti i ZKA-së.

Sipas Auditorit të përgjithshëm funksionimi joefektiv i KA, mund të ndikojë në cilësinë e punës dhe fushëveprimin e auditimit të brendshëm, identifikimin e fushave me prioritetet për auditim, si dhe shqyrtimet e raporteve të NJAB dhe auditorit të jashtëm.