Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka bërë thirrje për respektim të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe ndalim të çdo rritje të pajustifikuar të çmimeve gjatë festave të fundvitit.
Në thirrjen e publikuar në faqen e AKK-së në Facebook thuhet se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës apo abuzimin me pozitën e përbashkët dominuese, përbën shkelje të rëndë të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe është subjekt i sanksioneve ligjore.
Tutje thuhet se që nga fillimi i muajit dhjetor dhe deri në fund të këtij viti, të gjithë inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë çdo ditë në terren duke monitoruar me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg.
“Me afrimin e festave të fundvitit dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime, Autoriteti i Konkurrencës u bën apel të gjitha bizneseve dhe operatorëve ekonomikë që të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në thirrjen e AKK-së.
Tutje thuhet se festat e fundvitit nuk duhet dhe nuk do të shfrytëzohen për abuzim me konsumatorët, për rritje të koordinuara të çmimeve apo për praktika që cenojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg.
“Çmimet duhet të reflektojnë kushtet reale të tregut dhe jo marrëveshje të ndaluara, sjellje spekulative apo shfrytëzim të pozitës së përbashkët në treg”, thuhet në thirrje.
AKK-ja u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje të plotë me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve apo sjelljeve të koordinuara, të mos abuzojnë me pozitën e përbashkët ose fuqinë e tyre në treg si dhe të tregojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve.
AKK-ja u ka thënë thirrje konsumatorëve që raportojnë çdo dyshim për rritje të pajustifikuar ose të koordinuar të çmimeve, në mënyrë që Autoriteti të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Çmimet e produkteve “Made in Kosova”, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK) të publikuara në fund të nëntorit, janë rritur për 5.5 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas ASK-së rritje më e madhe e çmimeve është shënuar te veprimtaritë ekonomike të prodhimit të mjeteve motorike – prej 23 për qind, të energjisë elektrike (20.8 për qind) dhe të prodhimit të tekstilit (14.2 për qind).
Krahas këtyre, në ASK i kanë numëruar edhe produktet e tjera, çmimi i të cilave është rritur në krahasim me tremujorin e tretë të 2024-s.
“Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike u rrit për 8.1%, prodhimi i veshjeve 7.9%, prodhimi i mobilieve 7.8%, shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara 7.0%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. (produkte ose aktivitete prodhuese që nuk hyjnë në ndonjë kategori të veçantë të klasifikimit v.j.) 5.1%, prodhimi i pajisjeve elektrike 5.0%, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë 5.0%, përpunimi i produkteve ushqimore 3.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës 2.9%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse 0.9%, prodhimi i produkteve minerale jometalike 0.4%, prodhimi i produkteve kimike 0.1%”, kanë treguar të dhënat e ASK-së.