Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i Gashit: Bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës

Shkëlzen Gashi

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashit, duke thënë se bastisja në shtëpinë e klientit të tij tre ditë më parë është kryer pa urdhër të gjykatës dhe përbën precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes.

Gashi më 30 mars u intervistua nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pasi ekspozita me autorësinë e tij, “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, nxiti reagime të shumta meqë tabelat patën përmbajtje të pasaktë për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë luftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një postim në Facebook të enjten, avokati Koci ka thënë se bastisja në shtëpinë e Gashi u krye duke u bazuar vetëm në një autorizim të prokurorit për mbledhjen e provave, i cili nuk zëvendëson vendimin gjyqësor për bastisje. Ky dokument, sipas avokatit, është një komunikim intern i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Siç shkruan Koci, sipas nenit 36 të Kushtetutës, bastisja e banesës, konfiskimi i pajisjeve dhe ndërhyrja në komunikime lejohen vetëm me vendim gjyqësor, përveç rasteve urgjente – urgjencë e cila, sipas Kocit, nuk ekziston në këtë rast, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për veprimtari publike – ekspozitë në qendër të kryeqytetit.

Avokati vlerëson se mënyra se si është realizuar bastisja dhe ngutia e organeve shtetërore kontaminon çështjen penale që në fillim.

“Prandaj, vet mënyra se si është realizuar bastisja, ngutia e paarsyeshme e organeve shtetërore, e kontaminon çështjen e pretenduar penale që në fillim. Mbi të gjitha, procesi penal i filluar ndaj një personi për një ekspozitë publike të financuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe me me leje për ekspozitë nga  Komuna e Prishtinës, përbën një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë publike në përgjithësi”, ka shkruar Koci.

Tabelat për masakrat e ndodhura në Kosovë u hoqën nga sheshi kryesor i Prishtinës të shtunën në mëngjes, pesë ditë pas vendosjes, pas konstatimeve se kishin përmbajtje të pasakta, e që ishin pjesë e një ekspozite të financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se Kuvendi nuk e ka organizuar ekspozitën dhe se vendimi për financimin e saj është marrë në Kryesi, duke deklaruar se të gjitha partitë e kanë mbështetur përveç Listës Serbe. Ka shtuar tutje se verifikimi i të dhënave të ekspozitës nuk bie mbi përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës. Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në kërkesën për financimin e ekspozitës, s’është përmendur libri i Shkëlzen Gashit.

Në njërën nga tabelat e ekspozitës për Masakrën e Dubravës jepej numri i pasaktë i viktimave dhe për disa prej tyre thuhet se kanë qenë shqiptarë të armatosur.

Ekspozita shfaqi të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë teksa Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.

Të dhëna të pasakta pati edhe për Masakrën e Izbicës, që të shtunën e shënoi përvjetorin e 27-të. Bazuar në publikime të Institutit, në këtë masakër u vranë nga forcat serbe 147 civilë shqiptarë. E, në ekspozitë thuhet se ishin 115.

Po ashtu, janë ekspozuar pasaktësi edhe për masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe.

E, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), e ka përgënjeshtruar autorin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë”, Shkëlzen Gashi, i cili tha se të dhënat e pasakta që u prezantuan në të janë të Fondit.

Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përveç që autori ka publikuar pasaktësi, ai ka mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Sipas Fondit, Gashi ka nxjerrë si përfundim se një viktimë e krimeve të luftës ka qenë e armatosur veç pse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së, dhe nuk e ka kategorizuar si civil.