Arbëri

Azemi: Gjithçka e premtuar nga Kurti për sektorin privat është zero

Jusuf Azemi, kryetar i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, ka akuzuar Qeverinë Kurti se për sektorin privat nuk e ka përmbushur asnjë premtim dhe se puna e tij për punëtorët në këtë sektor është zero.

Ai madje ka thënë se gjatë qeverisjes së Kurtit ka “shkatërrim të ekonomisë në mënyrë të qetë dhe graduale”. Është ankuar se kryeministri dhe ministrat i kanë refuzuar kërkesat e tij për takime.

“Fuqia e shtetit është sektori privat. Le të dalë një kryeministër a ministër të thotë se e kemi bërë këtë për sektorin privat. Absolutisht nuk ka bërë asgjë. Absolutisht vetëm sa janë shtrydhur e ndrydhur. S’ka asnjë stimulim për ta. Ndoshta dikush e ka obligim që ta shkatërrojë ekonominë e Kosovës. Nuk shkatërrohet ndryshe, në mënyrë të qetë dhe graduale. I kemi bërë kërkesë për t’u ulur dhe ata nuk duan dhe s’mund të kuptohet ndryshe veç shkatërrim i fuqisë punëtore dhe fatkeqësisht ia kanë arritur. Nuk e shohin që punëtorët e sektorit privat dalin e mbledhin bukë në kontejnerë të ndryshëm. Ata mendojnë që punëtorët e sektorit privat kanë sa një kryeministër dhe një ministër. Është mëkat që të paguhet 250 euro dhe për 11 vjet s’ka as pagesë të Trustit. Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë që po e them”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten.

Azemi ka thënë se sa Kurti ka qenë në opozitë i kanë pasur 11 takime, e pas ardhjes në pushtet, sipas tij, nuk ka asnjë takim. “Gjithçka e premtuar është në zero”, ka deklaruar Azemi.

Azemi ka thënë se kushtet e punëtorëve në sektorin privat janë të rënda. Ai ka shtuar se sivjet kanë vdekur në vendin e punës 23 punëtorë, që sipas tij, ishte shifra më e lartë. Është ankuar në dënime ndaj kompanive.

Megjithatë, sipas tij, sektori privat është më i përgjegjshëm për punëtorët sesa kur bëhet fjalë për kompani private që si të kontraktuara kryejnë punë për institucionet publike. Ai ka thënë se “aty ku prek shteti dhe komunat, është gjendja më e rëndë”.

“Punëtorët që punojnë direkt në menaxhim vetëm nga pronari i kompanisë, gjendja është më e mirë. Ne ndihemi mirë kur e themi këtë. Gjendja nuk është ajo që ka qenë. Një punëtor krahu merr mesatarisht 30 euro, një shujtë dhe një transport. E në të kaluarën, ka marrë 10-15 euro në mëditje e pa ushqim e pa transport. Këtu e kemi gjendjen më të mirë. Sektori privat më i përgjegjshëm. S’po dua ta them se e kanë bërë pronarët nga vullneti, por mungesa e fuqisë punëtore e imponon të paguajë më shumë. E prej buxhetit prej shtetit dhe kuvendeve komunale, mbi 800 milionë euro vjet kanë mbetur buxhet... ky buxhet i ka paguar me 275 euro punëtorët privatë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka deklaruar se vetëm sivjet janë mbyllur mbi 600 kompani të vogla. Ai ka thënë se në Kosovë nuk po mund ta gjejnë veten as punëtorët e shteteve të tjera.

Gjatë ditës, kjo sindikatë ka mbajtur takim me zyrtarë të Komunës së Prishtinës. E për këtë takim, Azemi ka thënë se është përmbushur kërkesa e tyre për rritje të pagave për sektorin teknik privat në shkolla e qendra të mjekësisë familjare. Sipas tij, kjo “është premtuar se nëse vazhdon kjo parti në pushtet në komunë, qysh nesër do të diskutohet për buxhetin e vitit të ardhshëm, për rritje, që nuk është përcaktuar ende se sa”.

Sipas tij, punëtorët teknikë në shkolla në kryeqytet paguhen rreth 400 euro bruto, e në komunat tjera deri në 300 euro. Në Universitetin e Prishtinës, punonjësit e sigurimit sipas tij paguhen nën pagën minimale. Ai ka thënë se madje kompanitë e sigurimeve në vend kanë nisur të punësojnë vetëm të pensionuar për shkak të mungesës së punëtorëve.

Azemi ka thënë se Evropa i ka marrë punëtorët e kualifikuar të Kosovës. Sipas tij, pjesa dërrmuese e sektorit privat “po punon sa për ekzistencë”.