Dy figurat e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, kanë munguar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë, ku u diskutua dhe u konfirmua parimisht bashkimi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani për zgjedhjet e 7 qershorit. Bajrami e ka konfirmuar për KOHËN se ka munguar për shkaqe shëndetësore, ndërsa Hoti ka bërë vetëm një reagim në Facebook.
Sipas fotove të publikuara nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga të gjithë anëtarët e Kryesisë, në foto nuk shihen Bajrami, Hoti dhe kryetarët e Pejës dhe Vitisë, Gazmend Muhaxheri respektivisht Sokol Haliti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBajrami dhe Hoti janë përmendur si ndër zërat brenda LDK-së që kanë shprehur rezerva ndaj një bashkëpunimi me Osmanin.
Në një prononcim për KOHËN, Bajrami ka thënë shkurt se nuk mori pjesë për shkaqe shëndetësore.
Gjatë mbrëmjes, Hoti bëri vetëm një reagim në Facebook. Ai postoi një logo të LDK-së me mbishkrimin “LDK mbi të gjitha”. Por nuk qe i qasshëm në telefon.
KOHA është përpjekur të kontaktojë edhe me zëdhënësin e partisë, Besian Mustafa. Por deri tash nuk është përgjigjur.
Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku konfirmoi se Kryesia ka votuar në favor të vazhdimit të procesit për një listë të përbashkët me Osmanin. Ai bëri të ditur se të shtunën do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të finalizuar aspektet përgatitore të këtij bashkëpunimi.
“Me votim në këtë trup u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet për pjesën përgatitore. Votuam dhe u dakorduam të formalizojmë bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garim të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Abdixhiku.