Arbëri

Bajrami: Pacientët e hemodializës pa materiale - për Kurtin s’ka rëndësi pasi qytetarin e sheh si votë

Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie, duke thënë se edhe procesi i hemodializës në spitale është lënë pa materiale të nevojshme.

“Edhe hemodializën e kanë lënë pa material – kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit”, ka shkruar Bajrami në Facebook të enjten.

Ajo përmendi edhe disa vendime të qeverisë që, sipas saj, dëshmojnë keqpërdorim të pushtetit, përfshirë tenderin sekret për rezervat shtetërore dhe mijëra kontrata njëburimore.

“Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvilluar negociatat në restoranin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2,400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë eurosh, është po ai që ka lejuar që energjia e importuar të blihet jo në bursë, jo përmes ankandeve, por drejtpërdrejt nga kompania NOA”, ka shkruar deputetja.

Sipas saj, raportimet për mungesë materialesh në SHSKUK dhe qendrat e hemodializës janë dëshmi e dështimit të qeverisë.

“Sigurisht arsyetimet do të jenë te procedurat e prokurimit, por kjo nuk e justifikon neglizhencën”, shtoi.

Bajrami ka thënë se kjo qasje e Vetëvendosjes dhe e kryeministrit Kurti tregon se për ta “nuk është me rëndësi as shteti, as qytetari”, duke theksuar se ata e shohin qytetarin vetëm si votë.

“Largimi i tyre nga keqqeverisja është urgjencë qytetare – sa më parë, aq më mirë”, përfundoi ajo.

Që nga fillimi i javës, KOHA ka raportuar se spitalet rajonale dhe QKUK-ja janë duke u përballur me furnizim jo të qëndrueshëm me materiale për hemodializë dhe në disa ditë edhe me mungesa të plota. (Raportimet i gjeni KËTU)

Gjatë ditës së djeshme, sipas raportimit të KOHËS, kontrata emergjente për furnizim me material për hemodializë është ndërprerë pesë ditë pas lidhjes së saj. SHSKUK-ja e ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme me arsyetimin se operatori ekonomik nuk e ka dorëzuar materialin sipas kërkesave dhe kushteve të kontratës. E kompania e kontraktuar, ka pretenduar se kjo është bërë qëllimshëm.

Tenderi i rregullt, me vlerë 5 milionë euro dhe i ndarë në nëntë lote, është i pezulluar që nga muaji qershor pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.