Shtetet e Bashkuara e kanë zgjatur edhe pas 26 qershorit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se veprimet destabilizuese, korrupsioni dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin e vendeve të rajonit paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Ekspertë për Ballkanin thonë se ky urdhër do të duhej shoqëruar me veprime aktive nga administrata e SHBA-së ndaj atyre që kërcënojnë paqen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv që vazhdon përtej 26 qershorit 2025 lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare për Ballkanin Perëndimor, e vendosur që në vitin 2001. Në njoftimin e botuar në Regjistrin Federal më 24 qershor thuhet se situata në Ballkan vazhdon të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, si dhe situata në Ballkanin Perëndimor që pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare e shpallur në Urdhrin ekzekutiv 13219, mbi të cilën janë ndërmarrë hapa shtesë në Urdhrin ekzekutiv 13304, që është zgjeruar në fushëveprim nga Urdhri ekzekutiv 14033 dhe për të cilën janë ndërmarrë hapa të tjerë shtesë në Urdhrin ekzekutiv 14140, duhet të mbetet në fuqi edhe pas datës 26 qershor 2025”, shkruan në njoftimin për vazhdimin e Urdhrit ekzekutiv.
Aty përmendet edhe vendimi i janarit të këtij viti, i nënshkruar nga ish-presidenti Joe Biden, lidhur me individët që paraqesin kërcënim për rajonin.
“Më 8 janar 2025, presidenti nënshkroi Urdhrin ekzekutiv 14140, në dritën e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përpjekjet e vazhdueshme nga individë për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet pas luftës, për t’u përfshirë në korrupsion të theksuar që gërryen sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike, si dhe për të shmangur sanksionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe me qëllim që të ndërmerren hapa shtesë lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare në raport me Ballkanin Perëndimor”, shkruan në dokument.
Periudhën kur u publikua urdhri i Bidenit në janar të këtij viti kishte kërcënime nga ana e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnjë-Hercegovina.
Bideni pati ndërmarrë hapa shtesë për të amendamentuar tre urdhra të mëhershëm, e që lidheshin me bllokim asetesh dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.
Sipas rregullores së vitit 2021-s, bllokimi i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në SHBA vlente për personat që ishin direkt të përfshirë ose indirekt përgjegjës në veprimet apo politikat që kërcojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të një zone apo një shteti në Ballkan, dhe që minojnë proceset demokratike ose institucionet, apo edhe përfshihen në korrupsion. Aty përfshihen edhe shkelësit e marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjet për njohje reciproke në Ballkan. Këtu hyjnë Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshja e Dejtonit, Konkluzat e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes së 1995-s.
Sanksione do të ketë për këdo që Thesari Amerikan i Shtetit konsideron se si lider, udhëheqës apo anëtar i Qeverisë merr pjesë në ndonjë prej aktiviteteve të përfshira në rregulloren e mëhershme.
Masat do të zbatohen edhe për ndihmuesit, sponsorizuesit ose ata që ofruan mbështetje për personat të cilëve u janë bllokuar asetet.
Masat vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave që u bllokohen asetet.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, vazhdimin e këtij urdhri nga Trumpi e sheh si diçka të zakonshme, tek shton se SHBA-ja do të duhej të ishte më rigoroze në zbatimin e tij.
“Asgjë e re, por sidoqoftë e mirë. Së bashku, të gjitha deklaratat deri tash shprehin një politikë të qartë. Por do të dëshiroja që zbatimi i tyre të ishte pak më i vrullshëm”, ka thënë Serwer për KOHËN.
Historiku i Urdhrit ekzekutiv amerikan daton nga viti 2001. Më 26 qershor 2001, me Urdhrin Ekzekutiv 13219 ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështetur në “Aktin Ligjor për Fuqitë Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare”, për t’u përballur me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, të shkaktuar nga veprimet e personave që marrin pjesë, ose që ndihmojnë apo sponsorizojnë: “(i) dhunën ekstremiste në ish-Republikën e Maqedonisë (tani Republika e Maqedonisë së Veriut) dhe vendet tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor; ose (ii) veprime që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë, ose të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të 10 qershorit 1999, në Kosovë”.
Shtëpia e Bardhë e ndryshoi më pas këtë urdhër me dokumentin 13304, të datës 28 maj 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë lidhur me veprimet që pengonin, ndër të tjera, zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 për ish-Republikën e Maqedonisë.
Më 8 qershor 2021, presidenti Joe Biden nënshkroi Urdhrin ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushën e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në Urdhrin 13219 duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit – përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve pas luftës pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme të rajonit, pengojnë përparimin drejt qeverisjes efektive e demokratike, si dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, “duke përbërë kështu një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Veç Urdhrit, para disa ditësh, presidenti Trump e riktheu Ballkanin në vëmendje pasi përmendi angazhimin e tij për arritjen e Marrëveshjes së Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020 gjatë mandatit të parë.
Në një postim në rrjetin e tij social, Trumpi i rikujtoi një sërë ndërhyrjesh ndërkombëtare gjatë mandatit të parë, përfshirë edhe rolin e tij në ndaljen e një “lufte të mundshme” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt luftës. Unë e ndala atë”, shkroi Trumpi.
Ai e akuzoi paraardhësin Joe Biden se e dëmtoi perspektivën afatgjate mes Kosovës e Serbisë me disa vendime që ai i quajti “shumë të pamenduara” dhe paralajmëroi se do t’i rregullojë ato.
Trump i vendosi Kosovën dhe Serbinë në të njëjtin kornizim me përpjekjet për paqe ndërmjet Iranit dhe Izraelit, Indisë dhe Pakistanit, apo Egjiptit dhe Etiopisë.