Të zhgënjyer me punimet e projektit të kolektorit të ujërave të zeza janë shprehur banorët e fshatit Orllan të Podujevës.
Ata janë ankuar se ky projekt që ka filluar në vitin 2017 nuk ua ka hequr ujërat e zeza nga rruga dhe nga liqeni i Batllavës.
Sipas tyre, era e rëndë për shkak të rrjedhjes së ujërave të zeza mbi asfalt është bërë e padurueshme në këto ditë të nxehta vere.
“Tash jemi në vitin 2022 dhe ky rrjet nuk është përfunduar ashtu siç është paraparë. Pra, ka rrjedhje nëpër rrugë, ku fatkeqësisht na ka shkaktuar shumë probleme neve si banorë këtu, sepse e dimë që edhe fëmijët e frekuentojnë në atë pjesë dhe është rrezik nga sëmundje të ndryshme. Po ashtu pak më poshtë e kanë lënë qëllimisht rrjedhjen direkt në liqe dhe ky projekt asnjëherë nuk është përfunduar ashtu siç duhet. Ne e dimë që institucionet e kanë për obligim ta përfundojnë punën e infrastrukturës, pra në këtë rast edhe rrjetin e kanalizimit dhe ne si banorë, natyrisht detyrohemi ta bëjmë pagesën”, ka thënë Rexhep Zeka, banor i fshatit Orllan.
“Një porosi e kam sikur për firmën e cila e ka marrë këtë projekt, Zvicrën që e ka financuar, Ministrinë e Ambientit edhe Komunën, le t’i japin pak rëndësi. Përndryshe ne po i grumbullojmë këto mbeturina-ujërat e zeza- po i mbushim në ndonjë kovë edhe po ua çojmë nëpër zyra, sepse janë t’u bë hajgare me këtë punë. Qe 8 vjet mos të jenë në gjendje një kanalizim ta përfundojnë”, shtoi banori tjetër, Avdullah Shabani.
Banorët thonë se pos telasheve me ujëra të zeza, gjatë punimeve të kolektorit është dëmtuar muri mbrojtës afër urës së fshatit dhe gurët vetëm janë hedhur në liqen, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, edhe dëmtimin e rrugës.
Përfaqësues të konsorciumit DORSCH-CDI, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se kanalizimi dhe impianti biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Orllan është funksionalizuar që nga muaji mars i këtij viti.
Ata nuk e kanë përmendur rrjedhjen e ujërave të zeza, por vetëm bllokimin e pusetave, për të cilën gjë i kanë fajësuar banorët e restorantet.
“Problemi kryesor për bllokimin e pusetave dhe rrjetit të kanalizimit janë restorantet që derdhin yndyra dhe letra të tualetit, si dhe një pjesë e shtëpizave verore që derdhin gjëra që nuk janë të lejuara dhe për këtë arsye vjen edhe deri të bllokimi i pusetave dhe rrjetit të kanalizimit. Në muajin prill të këtij viti kemi bërë edhe një herë pastrimin e pusetave dhe ka qenë në funksion deri më sot kur edhe kemi dërguar edhe njëherë cisternat e pastrimit, por në të ardhmen nuk do të ketë mundësi. Ne mendojmë që kjo është edhe detyrë e Inspektoratit që t’ua ndaloj restoranteve derdhjen e yndyrave se gjithnjë do të ketë problem”, thuhet në përgjigjen e konsorciumit “DORSCH-CDI”.
Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se janë njoftuar nga banorët për dëmet që janë shkaktuar gjatë punimeve nga ana e kompanisë punëkryese gjatë zbatimit të këtij projekti.
Si institucion i Komunës, kanë thënë se këto shqetësime të banorëve i kanë paraqitur te financuesit e këtij projekti dhe se ata i kanë siguruar se do t’i trajtojnë këto shqetësime të ngritura dhe t’i sanojnë këto probleme.