Arbëri

Banorët në drojë për mbyllen e stacionit policor në Orllan

nenstacioni policor ne Orllan

Në drojë për sigurinë e 19 fshatrave të Orllanit në Podujevë janë shprehur disa nga banorët e kësaj pjese, po qe se nënstacioni policor që gjendet në këtë fshat do të mbyllet, siç kanë thënë se janë paralajmëruar, më 16 nëntor.

Ata e kanë kualifikuar shqetësues mosfunksionimin e këtij institucioni të sigurisë, teksa disa prej tyre kanë thënë të jenë informuar që shumë banorë mund edhe ta mendojnë shpërnguljen, shkaku i distancës prej 27 kilometrash midis fshatrave kufitare e Stacionit të Policisë në Podujevë.

“Me të marrë këtë informatë shqetësuese se nënstacioni në Orllan do të mbyllet saktësisht më datën 16 nëntor 2022, ne kemi reaguar duke e ndarë shqetësimin tonë me institucionet e tjera të sigurisë, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, po ashtu edhe Drejtoria e Policisë dhe Komisioni për çështje të sigurisë në Kuvendin e Kosovës. Kemi kërkuar nga ta që të gjendet një zgjidhje që ky nënstacion të mos mbyllet”, tha banori Rexhep Zeka.

“Ne jemi vijë kufitare. Janë diku 19 fshatra, ky nënstacion ka qenë në mbikëqyrjen e këtyre 19 fshatrave, tash kemi marrë (informatë v.j.) se gjoja do të tërhiqet, e kjo tërheqje e këtij nënstacioni ka me qenë shumë gabim i madh, në qoftë se e mendojnë ata është gabim i madh”, tha banori Avdullah Shabani.

Por kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se bazuar në informatat e siguruara nga komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevës, nuk do të ketë mbyllje, por vetëm riorganizim.

“Informatat të cilat i kemi nuk bëhet fjalë për mbyllje të nënstacionit policor në Orllan, por bëhet fjalë për një ristrukturim, gjegjësisht një riorganizim i mirë edhe i ri i resurseve humane që bëhen brendapërbrenda Policisë së Kosovës. Ju e dini shumë mirë që sigurisht që ajo zonë është një prej zonave që ka nevojë të ketë një nënstacion policor për shkak që kemi fshatra të cilat shtrihen përgjatë brezit kufitar dhe është e vërtetë që largësia prej asaj pjesë deri në Lluzhan është relativisht e madhe”, tha Bulliqi.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, ka njoftuar se qasja operative në terren do të zbatohet bazuar në zonën sektoriale, me prezencë policore prej 24 orësh në ditë, 7 ditë në javë edhe në Nënstacionin e Orllanit. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se do të ketë vetëm riorganizim të burimeve njerëzore në funksion të efikasitetit e efektivitetit operacional që për bazë ka ngritjen e sigurisë për komunitetin.

Megjithëkëtë, banorët kanë thënë se riorganizimi mund të nënkuptojë se nuk do të ketë prani të policëve, të cilën e kanë vlerësuar të domosdoshme për të rritur sigurinë për banorët e fshatrave.