Arbëri

Basha bën thirrje për formimin e komisioneve që të kalohet buxheti e mjetet për RTK-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u ka bërë thirrje partive politike që të formojnë komisionet parlamentare, në mënyrë që të procedohet me miratimin e buxhetit për vitin 2026, si dhe me ndarjen e mjeteve për Radiotelevizionin e Kosovës. Ai tha se me formimin e komisionit për buxhet, brenda ditës mund të ekzekutohen pagat e punëtorëve të RTK-së.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, iu ka bërë thirrje edhe një herë partive politike që të formojnë komisionet parlamentare për të proceduar me miratimin e buxhetit për 2026, atë të vitit 2025 për tri komuna, si dhe ndarjen e mjeteve për RTK-në.

Basha teksa është solidarizuar me punëtorët e RTK-së, që kanë protestuar për herë të dytë në kërkim të alokimit të buxhetit të paraparë në buxhetin e 2025-s, ka thënë se mjafton miratimi i raporteve dhe ekzekutohen mjetet.

“Si procedurë, kemi një Kuvendi funksional, kërkohet formimi i komisioneve, miratimi i raporteve dhe me miratimin e raporteve, Qeveria apo Ministria e Financave e bën ekzekutimin e fondeve, pra është procedurë krejt e thjeshtë me të njëjtin kërkesë e kam bërë edhe për buxhetin e komunave për buxhetin vjetor, por sa i përket RTK-së, krejt çka kërkohet është brenda ditës ne mund të mblidhemi, t’i themelojmë komisionet parlamentare, në këtë rast vetëm komisionin për buxhet, miratohet raporti dhe brenda ditës ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve”, ka deklaruar Basha.

Basha shtoi se nëse ka vullnet nga partitë politike, ai të martën e thërret seancën për themelimin e komisionit, ku tha se diku 56 vota i kanë, porse i duhet edhe mbështetja e deputetëve të tjerë.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditë më parë ka deklaruar se “nëse vërtet është krizë, munden partitë politike të bëjnë një zgjatim të buxhetit të mëparshëm përpara se të shpërndahet Kuvendi”.

KOHA ka kërkuar nga Presidenca përgjigje nëse kërkesa për zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit do të bëhet nëse dështon formimi i Qeverisë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë të hënës.

E nga 1 janari i 2026-s, asnjë pagesë nga buxheti i shtetit nuk do të mund të realizohet, nëse Kuvendi nuk miraton buxhetin për 2026 ose zgjatjen e afatit të buxhetit aktual për tre muajt e parë të vitit. 

Ligji për Menaxhimin e Financave publike parasheh që vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Por për ta bërë këtë duhet formimi i komisioneve funksionale, për ç’gjë deri më tani nuk ka pasur pajtim nga partitë politike deri tani në opozitë, të cilat kanë deklaruar se fillimisht duhet Qeveria e më pas komisionet.