Arbëri

BE-ja i sugjeron Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për tentimvrasjen dhe rrëmbimin e Vukashinoviqit

Prokuroria në Mitrovicë i ka çuar në ekzaminim dy telefona të shtetasit Milan Vukashinoviq, që u plagos dhe u rrëmbye në territorin e Kosovës. Autoritetet vendore kanë akuzuar Serbinë për këtë rast, e Bashkimi Evropian ka thënë se “autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë”. Institucionet e Serbisë vazhdojnë të heshtin, përfshirë edhe Klinikën në Nish, ku po trajtohet Vukashinoviqi, si dhe Avokatin e Popullit në Serbi

Bashkimi Evropian i ka sugjeruar Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për hetimin e tentimvrasjes dhe rrëmbimit të Milan Vukashinoviqit më 1 nëntor në Jellakcë të Leposaviqit. 

Në një përgjigje për Kohën, zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nikola Gaon, ka thënë se autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë.  

E misioni i EULEX-it ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë në shkëmbimin e informatave me Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

“EULEX-i po ashtu është i gatshëm që ta mbështesë hetimin duke shkëmbyer informacionet policore mes Policisë së Kosovës, Interpolit, Europolit, dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në qoftë se një asistencë e tillë i kërkohet nga institucionet relevante të Kosovës që e kanë përgjegjësinë që ta hetojnë rastin në mënyrë efikase dhe të paanshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it. 
 

Milan Vukashinoviq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka treguar nëse ka parashtruar një kërkesë të këtillë, por ka bërë të ditur se ka ndërmarrë disa hapa për zbardhjen e rastit.

“Mund të konfirmojmë se deri tash janë intervistuar nëna dhe një person tjetër i afërm me viktimën. Janë gjetur dy (2) telefona të viktimës, një në shtëpi dhe tjetri në veturën e tij, dhe të njëjtit janë dërguar për ekzaminim”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë.  

As Kryeprokurori i Shtetit në Serbi e as Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk janë përgjigjur në pyetjet e Kohës nëse po e hetojnë tentimvrasjen dhe rrëmbimin e Vukashinoviqit. 

Përgjigje nuk ka dhënë as Qendra Klinike në Nish, ku po trajtohet Vukashinoviqi, se pse nuk u është lejuar familjarëve ta vizitojnë atë. 

Avokati i Popullit në Serbi, institucion që në këtë vend njihet si Mbrojtësi i Qytetarëve, nuk ka shprehur interesim për rastin. Në një përgjigje për KOHËN, udhëheqësi i këtij institucioni, Zoran Pashaliq, është arsyetuar se familja e as avokati i Vukashinoviqit nuk ka bërë kërkesë për ta vizituar atë në spital. 

“Institucioni i Mbrojtësit të Qytetarëve viziton këdo që personalisht ose nëpërmjet të afërmve, miqve ose përfaqësuesve të tyre shpreh nevojën për të vizituar një person të privuar nga liria. Deri më sot unë nuk kam marrë një informacion të tillë”, ka thënë Pashaliq. 

Por, përfaqësuesi ligjor i familjes së Vukashinoviqit, Ivan Niniq nuk pajtohet me këtë konstatim. Sipas tij, Mbrojtësi i Qytetarëve në Serbi e ka për obligim të interesohet në bazë të detyrës zyrtare.

“Vukashinoviq e ka ende plumbin në shpinë. Nënës nuk iu mundësua vizita shkaku i gjendjes shëndetësore të Milanit. Ne nuk kemi kërkuar mbrojtje dhe mbështetje nga Ombudspersoni, meqë ai e ka për obligim, në bazë të detyrës zyrtare që të reagojë në mënyrë proaktive dhe ta intervistojë atë”, tha avokati Ivan Niniq. 

Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk bashkëpunon me të as në fushën e drejtësisë. 

Nuk ka bashkëpunuar as për sulmin terrorist mbi kanalin e “Ibër-Lepencit” e as për atë në Banjskë, kur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Milan Vukashinoviq u plagos e më pas u rrëmbye në territorin e Kosovës. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se këtë veprim e kreu xhandarmëria e Serbisë. E presidentja Vjosa Osmani, më 11 nëntor ka deklaruar se incidenti është cenim i paqes nga ana e Serbisë. 

“Pavarësisht se ku të ketë ndodhur, pavarësisht, është krim provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës. Edhe po të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë përsëri është provokim i rëndë për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Osmani. 

Avokati Niniq e ka quajtur këtë incident si “Banjska 2”. Niniq, ka parashtruar kallëzim penal ndaj personave të panjohur të Ushtrisë, pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe ndaj grupit të Milan Radoiçiqit në Prokurorinë e Lartë në Prokuple. 

Institucionet e Kosovës besojnë se motivi i sulmit ndaj Vukashinoviqit ishte sepse ai nuk i është bindur Listës Serbe, duke mos e braktisur punën në Byronë Kosovare të Sigurimit, pavarësisht se në vitin 2022 dhe 2020 i është bërë presion për këtë. Sipas Policisë Millan Vukashinoviq shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb dyshohet të jetë rrëmbyer në zonën e quajtur “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar KFOR-in, si përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.