Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja kërkon ndërprerjen e rrënimit të vilave në Ujman

Ujman

Foto: KOHA

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për rrënimin e disa vilave pranë liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës të martën. Në një reagim të publikuar nga zyra e BE-së në Kosovë, është thënë se nuk është respektuar procedura ligjore. Madje është thënë se kjo s’ka ndodhur vetëm në këtë rast, por edhe në disa të tjera. BE-ja ka bërë thirrje për ndërprerjen e rrënimit.

Një ditë më parë, autoritetet nisën aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit. Veprimi u mor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.

E sipas BE-së, banorët e prekur veçse kishin nisur procedurat gjyqësore brenda afatit të përcaktuar nga ndërmarrja për lirimin dhe pastrimin e tokës.

“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës. BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti. Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur. Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”, thuhet në reagim.

Në reagim është shkruar edhe për rolin e Policisë, që ofroi mbështetje për aksionin.

“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit. Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet tutje në reagim.

Në veri, ku u zhvillua aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.

Britania e shqetësuar për rrënimin e vilave pranë Ujmanit

2 o. më parë / 22 kor 2026 17:03
Vilat - Ujman - shembja

Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar pas fillimit të rrënimit të 11 vilave, të ndërtuara ilegalisht, pranë Liqenit të Ujmanit. 

Ambasada e Britanisë ka thënë se po monitoron nga afër zhvillimet. 

“Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku të prekurit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportet se veprimet zbatuese kanë vazhduar ndërsa procedurat ligjore janë ende duke u zhvilluar. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin e publikut ose besimin ndërkomunitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës. 

Një ditë më parë, autoritetet nisën aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit. Veprimi u mor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.

Bashkimi Evropian po ashtu ka reaguar, duke shprehur keqardhje për rrënimin e vilave pranë liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës të martën. Në një reagim të publikuar nga zyra e BE-së në Kosovë, është thënë se nuk është respektuar procedura ligjore. Madje është thënë se kjo s’ka ndodhur vetëm në këtë rast, por edhe në disa të tjera. BE-ja ka bërë thirrje për ndërprerjen e rrënimit.

Po ashtu ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë, duke iu bashkuar BE-së në shqetësimin për rrënimin e vilave. 

Në veri, ku u zhvillua aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.