Bashkimi Evropian ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave paralele shëndetësore dhe të arsimit në konsultim me serbët e Kosovës dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka thënë se vazhdimisht e ka potencuar se statusi i institucioneve shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, duhet të adresohet në dialogun Kosovë - Serbi, në përputhje me marrëveshjet e dakorduara dhe me ligjet e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kryeministri i Kosovës është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, në veçanti me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.
Kurti para një muaji, në takim me ambasadorë, kishte thënë se integrimin gradual të sistemeve paralele shëndetësore dhe arsimore në kuadër të institucioneve të Kosovës do ta bëjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe komunitetin serb.
Përfaqësues serbë, nëpërmjet një deklaratë, kanë dalë kundër çdo veprimi të autoriteteve për shkrirjen e këtyre institucioneve paralele në sistemin e Kosovës, teksa kërkuan që kjo çështje të zgjidhet vetëm në kuadrin e dialogut të Brukselit.
Por, në përgjigje të kësaj deklarate, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se do të respektohet vetëm ligji.
“Republika e Kosovës funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve aplikative. Ajo është baza mbi të cilën gjithçka në Kosovë do të funksionojë dhe duhet të funksionojë, kështu që gjithçka çka do të veprohet, do të veprohet në kuadër të kësaj kornize ligjore”, ka thënë Krasniqi.