Arbëri

Berisha: Unë do të reflektoj, do ta votoj këdo në votim të hapur

Beke Berisha

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka paralajmëruar një mocion për ndërrim të rendit të ditës për mënyrën e votimit për kryeparlamentar. Ai ka thënë se posa të arrihet kjo, ai do të votojë për cilindo kandidat në votim të hapur.

“Kjo situatë është bërë e tepërt dhe ne duhet të reflektojmë të gjithë. Duket se do të bëjmë mocion për çështjen e ndërrimit të votimit e kur të dalim në atë votimin e hapur do të reflektoj unë së pari sepse nuk dua në kurriz të Kosovës të mbaj hidhërim me askënd. As nuk ma determinon mendimin politik as opozita sepse s’jam opozitë se s’dihet kush do ta bëjë qeverinë, por do të shohim në momentin e parë të shohim si të dalim nga kjo situatë”, ka thënë ai në prag të përpjekjes së 42-të për konstituim të Kuvendit, që po mbahet në mbrëmje pasi gjatë ditës pati alarm të rremë për bombë.

“Ka qenë alarm i rrejshëm, por kur s’ka institucione për kohë të gjatë, mund të bëhen të vërteta”, ka thënë ai.

E kryetari i partisë së Berishës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për propozimin e deputetit të tij, por ka shtuar se “mirë ka thënë”.

Se a do të votojë edhe ai për këdo që del në votim të hapur për kryeparlamentar, Haradinaj ka shtuar “do të shohim kur të vijë momenti”.

Haradinaj ka thënë se pa ndryshim qëndrimesh nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, nuk mund të dilet nga kjo gjendje.


Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovës

As nata s’kryen punë, Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 42-të