Që nga nisja e seancës konstituive, deputetët i kanë pasur 60 ditë pune, po aq ditë me pauza dhe 48 ditë pritje për vendime të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë angazhim, ata nga 15 prilli e deri më 30 shtator, kur edhe përfundon masa e fundit e përkohshme e Kushtetueses, do të paguhen në total mbi 1.26 milionë euro nga buxheti i shtetit. E krahas pagës bazë, kanë edhe kompensime shtesë, përfshirë ato për angazhimin e asistentëve
60 ditë punë në seanca, 60 ditë pauza e 48 ditë pritje për vendime të Gjykatës Kushtetuese është bilanci i “punës” së deputetëve nga 15 prilli e deri më 30 shtator, kur edhe pritet të përfundojë masa më e re e përkohshme.
Për këtë angazhim, ata deri në fundshtator do të marrin nga buxheti i shtetit paga bazë në vlerë totale prej mbi 1 milion e 260 mijë eurosh, e individualisht nga rreth 10 mijë euro.
Bazuar në kalkulimin e pagave të tyre, deputetët për punën e bërë në zhvillimin e vazhdimeve të seancës konstituive kanë marrë rreth 460 mijë euro, sa edhe për ditët e pauzave. Vazhdimet e seancës konstituive, që nga 15 prilli janë mbajtur kryesisht çdo 48 orë.
E për ditë të pushimeve gjatë dy masave të përkohshme të caktuara nga Kushtetuesja, më 30 shtator do të rrumbullakohet në 340 mijë euro vlera e pagesave për ta.
Krahas pagës bazë, deputetët që për pesë muaj nuk kanë arritur ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit, kanë edhe përfitime të tjera financiare e materiale, duke përfshirë kompensimet e shpenzimeve mujore e edhe të drejtën për pagë kalimtare, pas përfundimit të mandatit.
Pos përfitimeve financiare, deputetët e gëzojnë të drejtën që të angazhojnë për vete edhe zyrtarë të lartë personalë, të cilët gjithashtu paguhen nga buxheti i shtetit.
Në listën më të fundit të asistentëve, të cilën e posedon KOHA dhe që është nga muaji qershor, rezulton se 82 nga 120 deputetët e Kuvendit kanë pasur të angazhuar staf mbështetës, me paga mujore bruto prej 900 eurosh.
Minimalisht, 82 asistentët e deputetëve nga qershori e deri në fund të gushtit janë paguar mbi 220 mijë euro nga shteti.
E për muajt e punës me mungesë efikasiteti, deputetët kanë bërë shpenzime prej mijëra eurosh edhe për mbushje të telefonave.