Arbëri

Bislimi akuzon Petkoviqin për deklarime të rrejshme pas takimit të 10 qershorit në Bruksel

Besnik Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, se ka bërë deklarata të rrejshme pas takimit të së martës në Bruksel, duke thënë se Petkoviq shkeli dakordimin që u bë gjatë takimit trilateral. 

Bislimi tha se pjesë e diskutimeve në agjendën e parë ishte edhe përkujdesja që gjatë konferencës për media pas takimeve të shpërndahen informata që shpjegojnë në mënyrë të qartë përmbajtjen gjatë diskutimeve. 

Bislimi tha se Petkoviq u pajtua të mos e keqpërdor konferencë për media për të thënë çështje që nuk janë adresuar gjatë takimit dhe për të mos e shtrembëruar përmbajtjen e diskutimit. 

“Për fat të keq, u deshën më pak se 30 minuta për të dëshmuar dështimin e tij në të dy zotimet”, ka shkruar Bislimi në një letër, të cilën e ka postuar në platformën “X”. 

Petkoviq në konferencë për media kishte thënë se pala serbe ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe po ashtu ka paraqitur një plan për deeskalim të situatës në veri të Kosovës. 

“E konsideroj të nevojshme të informoj publikun për deklaratat mashtruese të bëra nga Kryenegociatori i Serbisë, z. Petar Petkoviç, të cilat qëllimisht mashtrojnë publikun serb në lidhje me diskutimet në takimin trepalësh. Më 10 qershor, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën publikoi deklaratën në faqen e saj të internetit. Në përkthim ndër të tjera,
... gjatë takimit trepalësh në Bruksel me Prishtinën dhe me ndërmjetësimin e BE-së, delegacioni i Beogradit këmbënguli në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe paraqiti një plan për uljen e tensioneve ...”, thuhet në letër të Bislimit.

Bislimi tha se Kosova ishte e gatshme që në mënyrë konstruktive të diskutonte për çështjet e agjendës siç u paraqitën nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen dhe të rekomandonte edhe çështje tjera. Por, Serbia insistoi ta braktisë tërësisht agjendën dhe u mundua ta impononte një hierarki të re të çështjeve. 

"Pasaktësia faktike është e lehtë për t'u verifikuar me emisarin, pasi takimi trepalësh diskutoi vetëm parimet themelore dhe rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, dhe nuk mundi të binte dakord për rendin e ditës në kategorinë "çdo çështje tjetër". Kosova ishte e gatshme të diskutonte në mënyrë konstruktive pikat e rendit të ditës siç propozoheshin nga emisari dhe të rekomandonte çështje shtesë. Në një mënyrë shkatërruese, Serbia këmbënguli të braktiste plotësisht rendin e ditës dhe u përpoq të impononte një hierarki të re pikash".

Bislimi tha se kjo ndaloi që të diskutoheshin të paktën tetë tema tjera në interes të qytetarëve të të dy shteteve dhe se më pas diskutimet vazhduan në formate bilaterale. 

Bislimi tha se në konferencë për media pas takimeve, Petkoviq nuk bëri dallime mes asaj që u diskutua në takim trilateral dhe asaj në takim bilateral. Dhe se deklaratat e tij manipuluese u paraqitën në mediume të shumta dhe se mashtrimi ishte i qëllimshëm. 

Bislimi ka shtuar se në faqen e ashtuquajturës Zyre për Kosovë është korrigjuar deklarata, “me shumë gjasë pas intervenimit të emisarit të BE-së, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash”. 
Por, thotë se në storiet që janë publikuar në media vazhdon të figurojë deklaratat e njëjtë. 

Ai po ashtu shtoi se pos tjerash, në uebfaqen e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, lajmi është modifikuar por data e ora mbetet e njëjtë dhe nuk ka ndonjë shënim për të treguar se teksti është ndryshuar. 

“Deklarata është rishikuar që atëherë, ndoshta pas ndërhyrjes së emisarit, me të cilin Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash. Raportimet në media ruajnë të njëjtin tekst, gjë që na çon në përfundimin se asnjë tërheqje nuk është ndarë me median. Më keq akoma, lajmet e modifikuara në faqen e internetit ruajnë datën origjinale pa një shënim se është ndryshuar më pas.
Edhe pjesa tjetër e tekstit ka ndryshuar, por ruan skenarin e vazhdueshëm propagandistik të Serbisë për të nxitur urrejtjen, duke prishur procesin e normalizimit dhe duke dekurajuar serbët e Kosovës nga integrimi".