Arbëri

Bislimi e njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.

Bislimi në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar të hollat e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore.

“3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, ka shkruar Bislimi.

Kryenegociatori Bislimi tutje ka thënë se “E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht”.

Bislimi poashtu ka njoftuar se Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

Bashkimi Evropian së fundmi është shprehur se është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për ta ftuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Një takim i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, e ka zhvilluar gjatë këtij muaji me me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u tha se kanë kërkuar nga Serbia zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit janë takuar në Bruksel në shtator të vitit 2023, pak ditë para sulmit të grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Një takim midis tyre u pati aranzhuar të mbahej në qershorin e 2024-tës, porse ai është kushtëzuar nga Kurti me dorëzimin e organizatorit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Që atëherë, takimet e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë në kuadër të dialogut janë zhvilluar ndaras me zyrtarët e lartë të BE-së. E takime bilaterale dhe trilaterale janë zhvilluar mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.


Kamberi për bllokimin e mjeteve të Luginës nga Serbia: Diskriminimi është sistemaik e i organizuar

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se bllokimi i mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e konfirmon se diskriminimi i shqiptarëve është sistematik e i organizuar.

Duke iu referuar deklaratës së zv.kryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi për refuzimin e mjeteve pa bazë ligjore për tekstet shkollore të fëmijëve të Luginës, Kamberi tha se kjo tregon shkallën e arbitraritetit adminsitrativ.

“Deklarata e sotme e Zëvendëskryeministrit të Parë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, vetëm sa e konfirmon publikisht atë që ne prej vitesh e kemi denoncuar në Kuvendin e Serbisë: se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por sistematik dhe i organizuar. Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet”, shkroi Kamberi.

Tutje Kamberi në postimin e tij në Facebook tha se “Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”.

Sipas Kamberit, kjo gjë duhet të vihet në radarin e Bashkimit Evropian dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, z. Peter Sørensen.