Arbëri

Bislimi mohon se institucionet shëndetësore ilegale në veri janë target

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi

Foto: Alban Bujari

Një ditë pas kritikave të ndërkombëtarëve lidhur me aksionin për mbylljen e zyrës së fondit shëndetësor dhe atij pensional në veri, zëvendëskryeministri për dialogun, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk e kanë target asnjë institucion shëndetësor që operon në veri, përfshirë ato të themeluara nga Serbia. Sipas tij, po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje e cila e përfshin këtë sektor në kuadrin ligjor të Kosovës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk ka shënjestruar asnjë institucion shëndetësor që operon në katër komunat veriore, përfshirë ato ilegale. 

Sipas tij, po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje për integrimin e tyre brenda kuadrit ligjor të Kosovës. 

“Kosova nuk ka targetuar asnjë institucion shëndetësor që operon në katër komunat në veri. Madje as ato ilegale të themeluara nga Serbia (askush nuk e kupton domethënien ligjore të termit të përdorur zakonisht "Serbia run institutions in Kosovo"). Në vend të kësaj Kosova po punon për një zgjidhje për përfshirjen e tyre në kuadrin tonë ligjor, duke siguruar që të mos ketë ndërprerje në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe akomodim maksimal për stafin shëndetësor”, ka shkruar Bislimi në X.  

Ai ka shtuar se inspektorët vendorë kanë mbyllur përkohësisht funksionimin e një fondi, që lëshonte fatura në mënyrë të paligjshme dhe kryente transaksione. 

“Inspektorët vendorë të tregtisë kanë mbyllur përkohësisht funksionimin e një fondi, i cili lëshonte në mënyrë të paligjshme fatura dhe kryente transaksione, derisa të paraqiten provat përkatëse. Të gjithë jemi vërtet të impresionuar nga aftësia serbe për të manipuluar opinionin publik me prodhimin masiv të lajmeve të rreme, por është me rëndësi të madhe t'i trajtojmë ato si mjet propagande dhe asgjë tjetër”, ka thënë Bislimi.  

Por ky veprim është dënuar nga Gjermania, e cila u ka bërë thirrje institucioneve të përmbahen nga veprimet që, sipas saj, shkaktojnë përshkallëzim të situatës. 

Në një postim në rrjetin social X, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ka thënë se aksionet e tilla ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve.

“I bëjmë thirrje urgjente Kosovës që të përmbahet nga shënjestrimi i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës, shkojnë kundër detyrimeve dhe angazhimeve të saj ndaj BE-së dhe rëndojnë marrëdhëniet tona dypalëshe”, ka shkruar Reiffenstuel.  

Vitet e fundit Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga ndërkombëtarët. Megjithëkëtë ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione tjera paralele serbe. Ndër sektorët kryesorë që vazhdojnë të operojnë me sistem të Serbisë janë shëndetësia dhe arsimi. 

Arsimi paralel përmendet edhe në dokumentet qeveritare, siç është Strategjia e Arsimit 2022-2026, ku theksohet bashkëpunimi me ndërkombëtarët në adresimin e kësaj çështjeje. 

“Shkollat me mësim në gjuhën serbe në Kosovë vazhdojnë të operojnë jashtë sistemit kosovar të arsimit, përkundër faktit se legjislacioni aktual ofron mundësi të mëdha për akomodimin e nevojave specifike të komunitetit serb. Republika e Kosovës do t’i vazhdojë përpjekjet aktuale për integrimin e komunitetit serb me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Masat e Strategjisë së Arsimit u përshtaten të gjitha komuniteteve, por nëse, në një fazë të mëvonshme, paraqitet nevoja për adresimin e çështjeve specifike që kanë të bëjnë me integrimin e komunitetit serb, MASHTI do të bëjë përpjekje t’i akomodojë ato në planet vjetore të veprimit”, shkruan në strategji. 

Në shtatorin e vitit të kaluar, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri, që funksionojnë sipas sistemit serb, aktualisht nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shtoi se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.