Arbëri

Bizneset për tregun e lirë energjetik: Do të bjerë numri i të punësuarve e do të rriten çmimet

Foto ilustrim

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë thënë se dalja në treg të lirë të energjisë dhe ndërprerja e paralajmëruar e furnizimit me energji nga 16 gushti, do të çojë në ulje të numrit të të punësuarve, shtrenjtim të produkteve e rritje të importit dhe rënie të eksportit.

Një ditë më parë, Zyra e Rregullatorit për Energji i ka paralajmëruar bizneset që do t’u ndërpritet rryma nëse nuk lidhin kontrata me furnizues në treg të lirë deri më 16 gusht. ZRRE-ja në njoftim ka shkruar se shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit për të dalë në treg të hapur.

E në një komunikatë për media, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës kanë kërkuar që ZRRE-ja ta rishqyrtojë liberalizimin dhe të mos aplikojë ndërprerjen e paralajmëruar.

“Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit. Ne jemi tashmë të informuar se disa biznese kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjerat janë në proces të mbylljes së reparteve. Gjithashtu, shumë biznese janë duke pësuar dëme për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat janë nën kosto të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Shoqatat e bizneseve po vazhdojnë konsultimet me bizneset për hapat e mëtejmë”, thuhet në reagim të këtyre përfaqësuesve të bizneseve.

Bizneset kanë thënë se nuk janë kundër liberalizimit të tregut, por kundër formës së zgjedhur të ZRRE-së të cilën e kanë akuzuar për mosinformim. Ato janë ankuar sërish në çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji.