Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bota po e pëlqen Kinën, Kosova s’ia kthen shpinën SHBA-së

SHBA, Kosova

Udhëheqja kineze po merr mbështetjen e botës. Ky shtet ka tejkaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerësimet globale të miratimit apo mbështetjes më 2025, sipas anketës së organizatës “Gallup”. Por Kosova nuk ka ndërruar kahe. Sipas të dhënave, Kosova është shteti më proamerikan në botë dhe ka vlerësim tejet negativ për udhëheqjen e Kinës.

Mesatarisht 36 për qind e njerëzve nëpër shtete dhe territore në botë miratojnë lidershipin kinez, krahasuar me 31 për qind për SHBA-në. Dallimi prej pesë për qind i Kinës ndaj SHBA-së është më i madhi që “Gallupi” ka regjistruar në favor të Kinës në gati 20 vjet. Miratimi për liershipin amerikan ra nga mesatarja prej 39 për qind më 2024 në 31 për qind më 2025, ndërsa ai i Kinës u rrit prej 32 në 36 për qind.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të njëjtën kohë, kundërshtia ndaj lidershipit amerikan u rrit në vlerë rekorde prej 48 për qind, ndërsa e Kinës mbeti në 37.

Për dy dekada, organizata “Gallup” ka pyetur shtetasit e secilit shtet si pjesë të pyetësorit botëror për të vlerësuar lidershipin e katër shteteve më të forta ekonomike ose ushtarake – SHBA-së, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë. Pra a e miratojnë apo jo mënyrën se si po udhëheq lidershipi atë shtet.

Rezultatet e fundit janë marrë nga të dhënat e më shumë se 130 shteteve. Ato u paraprijnë disa prej zhvillimeve të rëndësishme të fillimit të 2026-s, përfshirë largimin e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare në janar dhe shpërthimin e luftës në Iran në fund të shkurtit.

Miratimi apo mbështetja për lidershipin amerikan ka variuar varësisht nga administratat. Në periudhën e George W. Bushit ishte në 30 për qind sikur në fund të mandatit të parë të Trumpit e deri në 49 për qind më 2009 te Barack Obama.

Ndërkaq Kina ka mbetur në shifra të ngjashme gjatë periudhës. Shteti i Xi Jinpingut më 2025 shënoi rritje në një mesatare prej 36 për qind, që është nivel më i lartë se ai tipiku në dy dekadat e fundit.

Para matjes së fundit, Kina e pati tejkaluar miratimin për lidershipin amerikan dy herë: gjatë administratës Bush dhe Trump 1.

Lidershipi amerikan ka pësuar rënie të vlerësimit prej më shumë se 10 pikësh në 44 shtete, brenda vitit të shkuar.

Gjermania udhëheq botën në rënien e vlerësimit për lidershipin amerikan, me rënie prej 39 pikësh, ndërsa e dyta është Portugalia me 38. Edhe partnerët e kamotshëm të Amerikës – Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia – po ashtu ulën ndjeshëm miratimin për lidershipin amerikan.

Ndërkaq, përmirësimin më të madh të vlerësimit SHBA-ja e përjetoi në Izrael, me ngritje prej më shumë se 10 pikësh. Në Kosovë vlerësimi ra për tri pikë, por mesatarja mbetet e nivelit më të lartë në botë.

Krahasimi në vlerësim të përqindjes pro-SHBA dhe anti-Kinë, e nxjerr Kosovën në krye të listës.

Pëlqimi apo miratimi për administratën amerikane në Kosovë është në 64 për qind, ndërsa për Kinën vlerësimi është -68 pikë. Me pikëdallim prej 132 pikësh, Kosova është shteti më proamerikan në botë.

Pas publikimit, Ambasada e Kosovës në SHBA ka reaguar në rrjete sociale duke shkruar se rezultati i anketës është “tjetër dëshmi e partneritetit të fortë dhe miqësisë së qëndrueshme midis dy shteteve”.

Izraeli është shteti i dytë më proamerikan në botë me 57 për qind të vlerësimit pozitiv për SHBA-në dhe -59 për Kinën.

Polonia, Shqipëria dhe Filipinet mbyllin top pesëshen në këtë ranglistë.

Ndërsa vendet më të afërta me Kinën janë Hong-Kongu, Singapori, Tunizia, Pakistani e Rusia.

Gjermania është fuqia që ka shënuar rritjen më të madhe të vlerësimit në botë, me pëlqim në mesatare botërore prej 48 për qind. Pas saj, Kina ka pëlqim në mesatare prej 36 për qind në botë, SHBA-ja 31 dhe Rusia 26.