Arbëri

Britania do t’i mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor në vjeshtë

Kështjella Hillsborough

Britania do t’i mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor këtë vjeshtë në kështjellën historike Hillsborough të Irlandës së Veriut në kuadër të Procesit të Berlinit.

Takimit ndërkombëtar do të zhvillohet në tetor të këtij viti, kanë njoftuar nga qeveria britanike.

Britania, e cila do të jetë nikoqire e kësaj ngjarjeje për sivjet, ka njoftuar se më 8 tetor sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, do të presë në kështjellën Hillsborough mbi 15 ministra të jashtëm evropianë për të diskutuar për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit, qëllimi i takimit është nxitja e paqes dhe stabilitetit në rajon, forcimi i sigurisë evropiane kolektive, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe mbështetje për bashkëpunimin ekonomik dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kjo kështjellë është zgjedhur si vend për zhvillimin e këtij samiti, pasi thuhet se ka simbolikë të fuqishme për paqen dhe pajtimin dhe ka luajtur rol kyç në negociatat që çuan te Marrëveshja e Paqes së Belfastit në 1998 (Good Friday Agreement).

Britania do të ndajë përvojën e vet nga procesi i paqes në Irlandën e Veriut, si shembull për pajtimin mes komuniteteve në Ballkan.

“Kështjella Hillsborough është kujtesë e fuqishme e asaj që mund të arrihet përmes diplomacisë. Shpresojmë që përvoja e Irlandës së Veriut të frymëzojë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor drejt një të ardhmeje të sigurt dhe paqësore”, ka thënë Lammy.