Arbëri

Cakolli: Pa marrëveshje politike, seanca e nesërme do të jetë si të tjerat

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur “vonesë të panevojshme” caktimin e seancës konstituive të Kuvendit për 20 gusht, kur sipas tij, ka mundur të thirret fill pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të hënën.

Ai ka theksuar se aktgjykimi ofron rrugëdalje nga kriza politike aktuale, por se siç ka thënë ai, “as aktgjykimi i Kushtetueses nuk mund ta zëvendësojë mungesën e vullnetit politik”.

“Seanca e nesërme në mungesë të çfarëdo diskutimi apo marrëveshje politike, me gjasë do jetë e njëjta si seancat e deritanishme”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Cakolli ka shtuar se Gjykata nuk ka përcaktuar edhe sanksionet për veprimet e ndërmarra gjatë seancës konstituive, pasi sipas tij, presupozohet që akterët e përfshirë i respektojnë vendimet e saj. Sa i përket kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehahit, Cakolli ka thënë se ai mund të zëvendësohet nëse refuzon aktgjykimin.

“Në rast se Dehari nuk do ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses, mbi bazën e nenit përkatës të rregullores ku thotë që kur kryesuesi refuzon ta drejtojë seancën e që refuzim është edhe zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses në raport me atë se si duhet të zhvillohet seanca, është bazë e mjaftueshme për zëvendësimin e tij. Nëse kemi të bëjmë me qëndrim të LVV-së me shumë gjasë një qasje e tillë mund të na përsëritet sepse edhe dy deputetët tjerë në radhë për nga mosha janë të VV-së që do ta kryesonin edhe në rast zëvendësimi”, ka deklaruar ai.

Cakolli ka ritheksuar se vullneti politik për një marrëveshje që do të çonte në zhbllokim vazhdon të mungojë, e që pa një të tillë situata do të vazhdojë të zvarritet.

“Është e kotë të presim dhe të duket kjo si lotari që deputetët të presin se kush do të jetë kandidati i radhës. Kryefjala e situatës së tanishme është mungesa e vullnetit politik për marrëveshje”, u shpreh ai.  

Të hënën u publikua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit. Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta.

Sipas aktgjykimit, kalimi në votim të fshehtë për të cilin insistonte Lëvizja Vetëvendosje nuk është mbështetur edhe nga subjektet tjera, rrjedhimisht kryesuesi është urdhëruar që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës - procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstituojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan ta finalizojnë atë me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Emri fillestar i VV-së për kryeparlamentare ka qenë Albulena Haxhiu.