Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, të mbijetuarit kanë rrëfyer se ende i kanë të freskëta kujtimet e tmerrit që shkaktuan forcat serbe. Gjëja e vetme që ata kërkojnë është drejtësia. E deri më tash asnjë person nuk është dënuar për krimin në këtë fshat
15 janari hap plagë të shumta dhe sjell mendime e vuajtje për banorët e Reçakut të Shtimes.
Plot 25 vjet më parë emri i këtij fshati është shfaqur në shumë media botërore, pasi që aty forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan 45 civilë, në mesin e të cilëve pati gra, fëmijë e pleq.
Në mbrojtje të tyre atë ditë ranë dëshmorë edhe dhjetë ushtarë të UÇK-së. Deri tashti vetëm një person është dënuar për krime lufte në Reçak, por që nuk e ka vuajtur dënimin.
Mes dhimbjes dhe zhgënjimit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 45 të vrarët e këtij krimi mizor, që e nxiti ndërhyrjen e NATO-s.
Agron Mehmeti, i mbijetuar i kësaj masakre, ka thënë se atë 15 janar ka qenë “ditë trishtimi, ditë tmerri, ditë makabre”.
“Është bërë rrethimi i fshatit Recak nga shumë forca policore, ushtarake të Serbisë. Më vonë ka filluar edhe granatimi i gjithë fshatit, pastaj janë futur policia serbe derë më derë dhe shtëpi për shtëpi. Kanë nxjerrë njerëz të pafajshëm civil nga shtëpitë e tyre dhe ka ndodhur ekzekutimi i tyre, ka ndodhur masakra. Banorët e Reçakut kërkojnë drejtësi, por fatkeqësisht drejtësia nuk po gjendet. Shumë njerëz që kanë pasur nga 2, 3 apo 4 anëtarë të familjes prindërit e tyre kanë shkuar me merakun që nuk është dënuar askush për masakrën e Reçakut. Paralel me këtë njerëzit e tanë po mbahen të pafajshëm atje dhe po gjykohen”, ka thënë Mehmeti.
Edhe Minire Bilalli, e mbijetuara e kësaj masakre, ka thënë se kryerësit e krimit duhet të dalin para drejtësisë.
“Boll të vështirë po e kam. Ende më kujtohen ato momente, unë e kam bashkëshortin të vrarë, dy kunetër janë plaguar dhe vjehrri, por ata kanë shpëtuar, por burri shkoi. Vështirë boll, por s’kemi çfarë të bëjmë. Drejtësia nuk po vendoset në vend kurrë, kurse ata që i kanë masakruar po sillen të lirë, këta tonët shkuan në Hagë pa asgjë, vetëm pse e kanë mbrojtur vendin e vet”, ka thënë Bilalli.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë vitin e kaluar ka nisur gjykimi i parë në mungesë ndaj Çedomir Aksiqit, që akuzohet edhe për përfshirje në masakrën e Reçakut. Ky gjykim që po zhvillohet në mungesë të të akuzuarit është krejt në fillim, meqë së fundi avokati i Aksiqit ka paraqitur kundërshtimin e aktakuzës në shkallën e parë.
Institucionet vendore të drejtësisë e kanë fajësuar vazhdimisht Serbinë për mosbashkëpunim në zbardhjen e krimeve të luftës për këto raste.
“Lidhur me rastin e C.A, avokati mbrojtës i të pandehurit ka paraqitur kundërshtimet sipas neneve 243 dhe 244 të KPPRK-së në gjuhën serbe. Gjykata këto kundërshtime më datë 20.12.2023 i ka përcjellë tek përkthyesit e kësaj gjykate dhe jemi në pritje të përkthimit e më pastaj të dërgohet tek prokurori i PSRK për përgjigje dhe të merret vendimi nga gjykata. Seancë e radhës nuk është caktuar, pasi që është akoma në fazën e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave”, thuhet në përgjigje të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Më 1999, pasi ndodhi masakra, prokurores ndërkombëtare për krime lufte, Louise Arbour, nuk iu lejua hyrja në Kosovë nga Maqedonia. Në shkurt të 2009-s, Tribunali i Hagës dënoi Nikola Shainoviqin, Nebojsha Pavkoviqin e Sreten Lukiqin për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë dhe Vladimir Lazareviqin e Dragolub Ojdanoviqin për dëbimet me dhunë, por jo lidhur me masakrën e Reçakut.
Provat e masakrës së Reçakut ishin prezantuar edhe në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, porse ai vdiq para se të përfundonte gjykimi ndaj tij.