Zgjedhjet lokale

Totaj përuron hapësire të gjelbër në Prizren, Vishi kërkon unitet në Kaçanik

Shaqir Totaj

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën për balotazh me gjashtë kandidatë që i kanë mbetur në garë. Në ditën e parë, Sabedin Vishi në Kaçanik kërkoi bashkim të qytetarëve për ta mbajtur bastionin e partisë, ndërsa në Prizren, Shaqir Totaj përuroi një hapësirë publike dhe theksoi zgjerimin e hapësirave të gjelbra si prioritet të tij

Gjashtë kandidatë të Partisë Demokratike janë në garën e balotazhit për kryetarë të komunave. 

Në ditën e parë të fushatës 6-ditëshe, kandidati i PDK-së për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka kërkuar mbështetjen e secilit qytetar për të mbajtur bastionin e partisë edhe për katër vjet.

“Vota juaj është zëri juaj për të ardhmen e fëmijëve tanë, kudo në komunën tonë. Kjo është koha që të bashkohemi të gjithë pa dallim, t’i lëmë anash hatër mbetjet dhe të dielën të hedhim së bashku hapin e duhur për Kaçanikun. Këtë të diel vendosim për të ardhmen e qeverisjes së Kaçanikut. Kaçaniku ka nevojë për vendimin tuaj”, ka thënë Vishi.

Në Prizren, kryetari aktual i komunës, njëherësh kandidat për një tjetër mandat, Shaqir Totaj, përuroi rregullimin e një hapësire publike mes ndërtesave në lagjen Ortakoll. 

Ai tha se shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra është prioritet i tij. 

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Totaj doli i pari me 41% të votave. Ai lidhi koalicion me partinë e tretë në këtë komunë, LDK-në.

Në Mitrovicë, Arian Tahiri, kandidat i PDK-së për kryetar ka dhënë mesazhe përbashkuese tek ka lidhur marrëveshje për koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Partinë Demokratike Turke të Kosovës. 

Tahiri në raundin e parë mori 47.57% të votave e doli i dyti me 122 vota më pak se i pari – kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci. 

“Këto ditë kam vizituar familje dhe kam folur me qytetarë që punojnë çdo ditë për një jetë më të mirë. Kam folur me të rinj të talentuar, me prindër që kërkojnë siguri dhe me të moshuar që duan respektin. Për ta, për ju, për çdo qytetar që beson në këtë qytet, unë jam këtu. Jam këtu për Mitrovicën. Kemi kaluar sfida, por kurrë nuk e kemi humbur besimin. Kemi dallime, por qytetin që na rriti e duam të gjithë”, ka deklaruar Tahiri. 

E kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, njëherësh kandidat i PDK-së për mandatin e dytë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në debatet televizive, me arsyetimin se kundërkandidati i tij nga Vetëvendosje, siç tha, nuk e njeh gjuhën e argumentit. 

Idrizi doli i pari në zgjedhjet e 12 tetorit. Në balotazh përballet me Sylejman Mehollin e LVV-së, i cili ka lidhur marrëveshje me kandidatin e LDK-së, Xhafer Tahiri, dakordim ky që nuk mori aprovimin e selisë qendrore të Lidhjes Demokratike. 

PDK-ja në balotazh është edhe në Klinë me kandidatin Sokol Bashota dhe në Dragash me Shaban Shabanin.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhje - KQZ - 2025

Dita e parë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale