Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë komunash, në hapjen e fushatës për rundin e dytë, kanë kërkuar vota për siç kanë thënë, vazhdim të projekteve të mëdha. AAK-ja në katër komuna synon ta vazhdojë qeverisjen edhe për katër vjet, e në një ta kthejë atë
Pesë kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë komunash, të hënën kanë hapur fushatën për rundin e dytë me synimin për të udhëhequr me qytetet ku garojnë. Në katër komuna ata synojnë ta vazhdojnë qeverisjet e tyre edhe për katër vjet.
Ardian Gjini, i cili është kryetar aktual i Gjakovës, përmes një videomesazhi të hënën, ka thënë se do të vazhdojnë projektet e mëdha edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.
“Gjakova ka qenë në kapitullin e vet më të mirë ndonjëherë. Nuk jemi udhëheq as prej urrejtjes, edhe njëjtë do të vazhdojmë. I duam të gjithë, i duam të qytetarët e komunës sonë. E duam komunën tonë më të mirën që mundet me qenë diku”, ka thënë Gjini.
Bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, po ashtu ka kërkuar votën e qytetarëve, siç ka thënë, për të vazhduar projektet e mëdha.
“Duke ju falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen që më motivon të vazhdoj me punë e përkushtim për komunën tonë, unë do të jem para jush dhe me ju në këto ditë, për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja, për të dhënë sqarime për planet e mia dhe për të shtjelluar hollësisht programin tim qeverisës. Le të mobilizohemi për fitoren që na pret dhe të bëhemi gati, edhe më shumë, për punët e shumta dhe projektet e mëdha që kemi para vetes për t’i bërë realitet, e që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit”, ka deklaruar Latifi.
E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, të hënën ka inspektuar punimet në rrugën Shirokë – Topliqan, për të cilën ka thënë se i lidhë katër fshatra.
“Brenda një muaji presim që të kryhet kjo urë dhe do t’ua mundëson qytetarëve që të lëvizin më lirshëm”, ka premtuar Muharremaj.
Kandidati për Junik, Agron Kuçi ka akuzuar të hënën kundërshtarin e tij, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, për siç ka thënë fushatën e tij mbi propagandë dhe pretendime të pabazuara ndaj qeverisjes së AAK-së.
“Nëse këto pretendime do të kishin qënë të vërteta, ai ka pasur plot 4 vite, apo 1460 ditë, për t’i bërë publike.! Tani, kur ka ardhur koha për t’u ballafaquar në debate publike, z. Shehu po i shmang ato, duke dëshmuar se nuk ka argumente, por vetëm fjalë boshe. E vërteta nuk i frikësohet debatit ,vetëm propaganda frikësohet prej tij”, ka shkruar Kuçi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pos në Gjakovë, Rahovec, Junik e Suharekë, është në balotazh edhe në Klinë me kryetarin aktual Zenun Elezaj.
Elezaj, që është kryetar aktual i komunës, të dielën ka promovuar fazën e dytë të riasfaltimit të rrugës Klinë-Shtupel, me gjatësi 3.6 km dhe investim prej 339,000 euro. Ai ka thënë se ky është edhe një tjetër investim që dëshmon përkushtimin për infrastrukturë moderne dhe zhvillim të vazhdueshëm të komunës të Klinës.