Arbëri

“Dardafon” kërkon kompensimin e 5.7 milionë eurove, Telekomi mohon që e ka këtë obligim

Akuzave të ngritura nga zyrtarë të Telekomit gjatë një konference për media të thirrur gjatë së hënës, i janë përgjigjur përfaqësues ligjorë të kompanisë “Dardafon”. Ata kanë thënë që respektojnë çdo vendim të Gjykatës. Në Telekom thanë që vendimi gjyqësor i para 4 ditëve nuk po i llogarit përfitimet që ka pasur “Dardafoni” nga ta. KOHA ka tentuar të martën të marrë qëndrim nga përfaqësues të Gjykatës Komerciale lidhur me akuzat, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndaj akuzave të ngritura nga zyrtarë të Telekomit, të hënën drejtuar një gjyqtari dhe kompanisë “Dardafon Z-Mobile”, kanë reaguar përfaqësues ligjorë të këtij biznesi.

Në një përgjigje për KOHËN, nga ekipi mbrojtës i “Dardafonit” është thënë se ata respektojnë çdo vendim të gjykatave dhe i kanë bërë thirrje Telekomit t’u përmbahen obligimeve që dalin nga këto vendime gjyqësore.

“Ne kërkojmë që Telekomi i Kosoves të reflektojë sa më shpejt dhe ta përmbushë obligimin që buron sipas Vendimit Final të Arbitrazhit, në mënyrë që të mos i kalkulohet kamata prej 8% në vit edhe më tutje dhe të krijojë dëme në vazhdimësi ndaj ndërmarrjes së tyre”, u tha nga “Dardafon”.

Telekomi dhe kompania “Dardafon” kanë pasur një përballje ligjore në Tribunalin e Arbitrazhit, që gjeti se Telekomi obligohet t’ia paguajë “Dardafonit” shumën prej 27 milionë eurove dhe 8% e kësaj vlere, për çdo vit që kalon pa u kryer pagesa.

Mirëpo në prill të 2017-s, dy kompanitë që ofronin shërbime telefonike lidhën marrëveshje për ekzekutimin e vendimit final të Arbitrazhit.

Kjo marrëveshje, ndër të tjera, e obligonte Telekomin që “Dardafonit” t’i ofronte në shërbim 90 mijë numra telefonikë. Pas rreth një viti, kompania “Dardafon” kishte njoftuar për tërheqje nga kjo marrëveshje.

Zyrtari i lartë i financave në Telekom, Feim Kelmendi, tha se me zbatimin e marrëveshjes së 2017-s, borxhi i caktuar nga Arbitrazhi konsiderohet i shlyer.

“Vlera e këtyre numrave dhe shërbimeve, nga të cilat “Dardafoni” ka gjeneruar të ardhura nga klientët e tyre sipas kalkulimeve tona, në rastin më të keq për Telekomin e kanë vlerën së paku 10.4 milionë euro. Këtë pjesë në kemi kërkuar nga Gjykata që të konsiderohet si kompensim që ka dalë nga vendimi i arbitrazhit”, tha Kelmendi.

Vendimi i para 4 ditëve i Gjykatës Komerciale nuk e ndaloi përmbaruesin privat që Telekomit t’ia marrë edhe 5.7 milionë euro të tjera.

Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, shprehu brengën që edhe nëse Gjykata e shkallës së dytë merr vendim që këto para t’i kthehen Telekomit, kompania “Dardafon” mund t’i ketë llogaritë e zbrazura për shkak se është biznes i shuar që nga 2019-a.

KOHA ka tentuar edhe gjatë së martës të marrë qëndrim nga përfaqësues të Gjykatës Komerciale lidhur me akuzat e ngritura nga zyrtarët e Telekomit, mirëpo ata kanë refuzuar të komentojnë mbi këto akuza.