Arbëri

Dehari nxit reagime të PDK-së e LDK-së me interpretimin e aktgjykimit të Kushtetueses

Avni Dehari

Avni Dehari

Foto: Driton Paçarada

Një shkrim i kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetit Avni Dehari, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka nxitur reagime të ashpra nga partitë tjera

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, në një shkrim në Facebook ka thënë se do të ishte shkelje nëse pyeten deputetët se a janë për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin apo jo.

Dehari, si deputeti më i moshuar, është kryesues i tash e më shumë se 40 vazhdimeve të Kuvendit në përpjekjen për të konstituuar legjislaturën e nëntë. Në një shkrim në Facebook të dielën në mbrëmje, para përpjekjes së 43-të të planifikuar për të hënën, ka thënë se në aktgjykimin e Kushtetueses të 26 qershorit, për seancën konstituive, nuk përcaktohet nëse mënyra e votimit duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se nuk vlejnë as mocionet procedurale.

“Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale. Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore. Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo”, ka shkruar ai.

Dehari tutje ka shkruar se e ka propozuar votimin e fshehtë në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses së vitit 2014. “Vota për, kundër ose abstenim për komisionin për votimin e fshehtë nënkupton shprehjen e vullnetit të deputetëve për mënyrën e votimit. Normativisht, njëra mënyrë e votimit nuk ka më shumë vlerë a peshë sesa mënyra tjetër. Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Menjëherë pas kësaj ka pasur reagime të partive që deri tash ishin në opozitë. Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se me këtë shkrim, Dehari ka pranuar se nuk lejohen mocione procedurale, por se sipas tij nuk ka pasur guxim ta lexojë aktgjykimin deri në fund.

“Paragrafi 187 i aktgjykimit thotë qartë: ‘(…)zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës’. Cila ka qenë ajo praktikë e deritanishme parlamentare? Votimi i hapur. Gjithmonë. Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit të Gjykatës”, ka shkruar Gruda në Facebook.

E Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike ka thënë se shkrimi i Deharit e shpërfaq mendësinë e Vetëvendosjes.

“‘Do të ishte shkelje kushtetuese nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo’ paska thënë Dehari. Ndërsa vendimi i tij, pa pyet askend, për të ndryshuar mënyrën e votimit, qenka kushtetues. Pra, sipas tij, deputetët s’bën me i pyet, ata veq duhet me ulë kryet edhe me votu. Kjo është pra mendësia e tyre: Mshele gojën, voto qysh t’thojmë na, nuk pyetësh ti për kurrgjë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Çështja e mocionit u ngrit një ditë më parë, kur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se duhet të ngrihet një i tillë që t’i jepet fund çështjes së ngërçit. Ai tha se ka reflektuar dhe se në votim të hapur do të votojë për cilindo kandidat që e propozon Vetëvendosje.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë, por kanë dështuar për ta konstituuar Kuvendin. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë.

E më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i obligojë deputetët që për 30 ditë të konstituojnë Kuvendin. E aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe prej LVV-së dhe ndryshe prej partive të tjera. Përderisa VV-ja pretendon se vendimi konstaton që lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit, e kundërta pretendohet nga partitë tjera.

Pas vendimit të Kushtetueses, Dehari ka vazhduar me propozimin për votim të fshehtë. E kjo është dërguar në Kushtetuese sërish nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.