Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tërmkolli: Presidentja që shpall zgjedhjet për hatër të VV-së, duhet të shkarkohet në sekondë

term

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka thënë se një presidente që shpall zgjedhjet për hatër të Vetëvendosjes duhet të shkarkohet menjëherë – duke iu referuar deklaratës së presidentes Vjosa Osmani të hënën në një intervistë. 

Tërmkolli ka theksuar se deklarata të tilla janë problematikë për shtetin. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një presidente e një vendi të pavarur para një mediumi kur e thotë direkt që ‘unë i kam shpall zgjedhjet më 28 dhjetor për hatër të VV-së dhe mërgimtarëve’, një presidente e tillë duhet të shkarkohet në sekondë”, deklaroi ajo në Konfront. 

Presidentja Osmani ka ironizuar të hënën pas akuzave kundër saj se po ia pamundëson qeverisjen Albin Kurtit. 

“A ia paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit, duke ja dhënë datën 28 dhjetor...duke ia pritë diasporën”, ka thënë ajo në një intervistë.

Osmani ishte akuzuar vazhdimisht nga partitë opozitare se mbante anën e kryeministrit dhe kreut të LVV-së, Albin Kurti, qëndrim që ishte bërë më i zëshëm kur Osmani kishte vendosur të caktonte datën 28 dhjetor 2025, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo ishte arsyetuar atëkohë se shumica e partive kanë qenë për një datë të tillë.


Tërmkolli: Osmani ka vetëm ambicie të sëmura për pushtet

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, pushtetin e kanë Zot dhe para gjithçkaje.

Duke komentuar situatën aktuale politike në vend, ku puna e Kuvendit të Kosovës është pezulluar deri më 31 mars nga Gjykata Kushtetuese derisa të vendoset nëse dekreti i nënshkruar nga ana e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte kushtetues ose jo, Termkolli ka thënë se Osmani nuk ka dhënë asnjë kontribut për Kosovën dhe se ajo ka vetëm ambicie të sëmurë për pushtet.

“Ne kemi të bëjmë me dy personalitete politike që njëri është mashtruesi më i madh në historinë politike të Kosovës, ndërsa tjetra është profiterja më e madhe në Kosovë, i pari është Albin Kurti dhe e dyta Vjosa Osmani. Janë pothuajse dy anë të së njëjtës medale. Osmani është vetëm një përfituese, e din shumica e popullatës. Po ta marrim me kokë të ftohtë dhe ta analizojmë kontributin në këtë vend, nuk e gjen asnjë. Nuk gjen asgjë të saj përveç ambicies së sëmurë për karrierë dhe pushtet”, ka thënë Tërmkolli në emisionin “Konfront” në KTV.

Tërmkolli ka deklaruar po ashtu se në këtë pikë, kryeministri Kurti dallon nga Osmani pasi sipas saj, Kurti megjithatë ka një ideologji me veprime të mira e të këqija.


Tërmkolli për Kurtin: Autoritarizmin e ka ideologji

Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se e ka autoritarizmin pjesë të ideologjisë së tij politike.

Sipas Tërmkollit, Kurti nuk është i gatshëm për kompromis në politikë, pasi kompromisin e sheh si nënshtrim.

“Qasja tjetër e Albin Kurtit është se ai nuk do kompromis. Këtu është problemi. Ky njeri nuk është i gatshëm për kompromis, jo sepse të tjerët nuk kanë pasur kapak tendenca autoritare, por nuk e kanë ideologji atë punë. Albini e ka ideologji atë punë. Autoritarizmin e ka ideologji. Fund. Ky është problemi kyç që nuk ka mundësi kompromisi, as kurrgjë. Kompromisin po e sheh si nënshtrim Albini”, ka deklaruar Tërmkolli në “Konfront” të KTV-së.


Dekreti i Osmanit, Tërmkolli: I dëmshëm, ka rrezikuar rendin kushtetues

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka thënë se Kosova është në një situatë degradimi politik, kur sipas saj pikërisht tash është dashur të jetë në nivel shumë më të lartë në të gjitha sferat.

Tërmkolli ka theksuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte sa i ngutshëm aq edhe i dëmshëm për shtetin.  

“Vendimin që e ka marrë për shpërndarjen e Kuvendit, është absolutisht i ngutshëm dhe i dëmshëm sepse në veçanti vendime të tilla pa u shtjerrë edhe disa përpjekje politike me të gjitha subjektet janë të dëmshme dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues dhe jemi në situatë, është fjalë e madhe të thuhet puç kushtetues dhe juridik, por jemi afër kësaj situate në një kohë kur bota është në krizë të madhe. Kosova duhej të ishte shumë e përbashkuar për t’i dalë në ballë situatës në botë sepse gjithsesi ka për të ndikuar edhe në vendin tonë”, ka theksuar ajo në Konfront.

Sipas saj, përplasjet politike po e çojnë shtetin në situatë shumë të keqe.  

“Kemi situatën kur kemi devalvimin dhe degradimin më të madh politik dhe shoqëror në këtë periudhë kur do duhej të ishim në nivele më të larta”.