Arbëri

Deliu akuzon Qeverinë Kurti për varfërim, izolim dhe tendenca autoritare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se partia të cilën e përfaqëson pret që të ketë sa më shpejt zgjedhje të reja parlamentare.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Deliu ka thënë se pret që qytetarët të mos votojnë për dikë që e izolon dhe varfëron shtetin.

Deliu e ka akuzuar partinë deri tash në pushtet për arrogancë dhe për tentim që të instalohet autoritarizëm. 

“PDK-ja është në përpjekje që vendi të shkojë sa më herët në zgjedhje sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Pres që qytetarët të vendosin për dikë që nuk e izolon, nuk e konfronton Kosovën, nuk e varfëron, por për dikë që i hap rrugë perspektivës euroatlantike, investimeve të reja. Gjithë atë besim dhe fuqi që ua kanë dhënë qytetarët ta përkthejnë në arrogancë, në përpjekje për të imponuar diktat, për të instaluar autoritarizëm e të mos e shohë qytetarin”, ka thënë ajo. 

Ajo tutje ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se gjatë qeverisjes së saj jetesa e qytetarëve të Kosovës është vështirësuar. 

“Për pesë vjet të qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova dhe qytetarët e saj kanë jetuar bukur keq. Standardi i jetesës, çmimet e larta, inflacioni i lartë, çmimi i rritur i energjisë elektrike, këto kanë goditur në thelb zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka theksuar ajo.