Arbëri

Dëmtohen disa tabela të emërtimeve të rrugëve në Lipjan

Në disa lagje të qytetit të Lipjanit janë dëmtuar emërtimet e rrugëve, shportat e mbeturinave dhe disa ulëse për pushimore.

Këto dëmtime të pronës publike jo rrallëherë po ndodhin edhe nga grupet e të rinjve të cilët e frekuentojnë shpeshherë qytetin e Lipjanit pas mesnatës. Kjo çështje ka nxitur reagimin e organizatës joqeveritare “YAHR” e cila monitoron zhvillimet në komunën e Lipjanit. Sipas kësaj organizate institucionet publike duhet të angazhohen më shumë për ruajtjen e aseteve publike qoftë nga Policia e Kosovës dhe nga inspektorati i Komunës.

Bekim Krasniqi, drejtor në këtë organizatë ka kërkuar nga Policia e Kosovës të jenë më aktiv gjatë orëve të natës për t’i përcjellë veprimet e disa të rinjve të cilët po lëvizin nëpër qytet.

“Të rinjtë apo grupet e caktuara herë pas here vërehen gjatë orëve të vona të natës duke lëvizur nëpër qytet, prandaj kjo është mjaftë shqetësuese sepse ata po i dëmtojnë edhe asetet publike siç janë tabelat e emërtimeve të rrugëve, shportat për mbeturina, ulëset nëpër sheshe e të tjera. Prandaj kërkojmë nga institucionet përkatëse të jenë më aktiv në monitorim të qytetit gjatë orëve të vona të natës”, ka thënë midis të tjerash Krasniqi.

Sipas tij, kjo çështje është ngritur edhe në të kaluarën në mbledhje të ndryshme të komiteteve me qëllim që qytetarët të vetëdijesohen dhe t’i ruajnë asetet publike në këtë qytet.

Ndërkohë, muaj më parë ka pasur reagime edhe nga Komuna e Lipjanit lidhur me dëmtimet e aseteve publike, duke kërkuar bashkëpunim me qytetarët dhe Policinë e Kosovës.